Rend dhe Ligj

SPAK kërkon sekuestrimin e ish-Hotel Vollgës, iu dhurua Shullazit për “mirënjohje”

gazetasishullazi

Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja njoftoi paraditen e kësaj të enjte se janë rreth 30 kërkesa për sekuestrim pronash që Prokuroria e Posaccme ka kërkuar në Gjykatë në bazë të operacionit “Forca e Ligjit”. Pjesa dërrmuese e këtyre pronave janë automjete, ndërkohë që nuk mungojnë edhe pasuri të patundshme.

E mes kërkesave të SPAK-ut ndodhet edhe dosja për sekuestrimin e disa pasurive të Emiljano Shullazit. Prokurorët e Posaccëm kërkojnë sekuestrimin e godinës së famshme të ish-Hotel Vollgës në Durrës dhe një automjet luksoz tip Mercedez Benz në pronësi të Shullazit.

Shullazi, që vazhdon betejën për pafajësi në Gjykatën e Posaccme të Apelit dyshohet se ka përfituar përmes kërcënimeve dhe mashtrimit godinën e ish-Hotel Vollgës. Në shkurt aij iu dorëzua kërkesa për të plotësuar formularin e deklarimit të burimit të pasurisë nga ana e operacionit “Forca e Ligjit”.

Vetë Shullazi tha se përmes avokatit të tij se pasuria që zotëron është kaluar një herë në sitën e ligjit antimafia dhe nga hetimi në fjalë nuk është gjetur asnjë parregullsi. Avokati i referohej një hetimit të 2016-ës, ku mes pasurive të sekuestruara në atë kohë të Emiljano Shullazit ishte edhe ish-Hotel Vollga.

Ish-Hotel Vollga iu dhurua Shullazit nga arabët për “mirënjohje”

Nga hetimet e 2016-ës në kuadër të ligjit “antimafia”, prokuroria për Krimet e Rënda zbuloi se Emiljano Shullazi është bërë pronar i vetëm i ish-Hotel Vollgës përmes dy akt-dhurimeve në vitin 2014. Fillimisht atij i ishte dhuruar pjesa që zotëronte një familje me mbiemrin Kodra dhe më pas Emiljano Shullazit ka marrë në “shenjë mirënjohje” pjesën e mbetur nga një kompani arabe.

Familja shqiptare që i dhuroi pjesën e vet të Vollgës Emiljano Shullazit, e kishte blerë atë rreth 700 mijë euro. Prokuroria dyshon se familja në fjalë nuk mund t’i siguronte këto të ardhura dhe në atë kohë dyshohej se pas kësaj qëndronte vetë Emiljano Shullazi.

Më pas, Emiljano Shullazi merr edhe pjesën tjetër të pronësisë me një akt dhurimi nga një grup biznesmenësh arabë. Prokuroria dyshoi se dhurimi ishte bërë nën kanosjen dhe kërcënimin e armës dhe për këtë kërkoi që të marrë në pyetje shtetasit arabë.

Dhuruesit shqiptarë refuzuan që të denoncojnë, ndërsa autoritetet shqiptare e kishin të pamundur gjetjen e shtetasve arabë. Rasti u referua në Prokurorinë e Durrësit nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Kjo prokurori shpalli moskompetencën dhe dorëzoi dosjen për hetime të mëtejshme në Gjykatën për Krimet e Rënda.

Krimet e Rënda nxorrën një urdhër-arresti ndaj Emiljano Shullazit, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ku dyshohej se shtetasit arabë, pronarët e ish-hotel Vollgës janë kërcënuar me armë nga ana e Emiljano Shullazit.

Hetuesit dyshuan se nuk mund të dhurohet një pronë që kap shifrën e mbi 1.5 milionë eurove, ndërkohë që në kartelën e pasurisë, pasqyrohen lëvizjet e shumta të pronësisë gjatë viteve të fundit. Sipas kësaj kartele, në vitin 2003, me vendim të kthimit dhe kompensimit të pronave, ish-hotel “Vollga” i njihet shtetases Alije Fortuzi. Kjo e fundit, në të njëjtën ditë që ka bërë regjistrimin e pronës në Hipotekë ka dorëzuar edhe një “trashëgimi testamentare” në emër të shtetasit Zamir Hasa, për përkujdesjen që ky i fundit kishte treguar ndaj saj.

Sipas dokumentacioneve të Hipotekës rezulton se në të njëjtën ditë me regjistrimin në emër të Alie Fortuzit ish-Hotel Vollga i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer. Për këtë kontratë shitjeje Zamir Hasa ka ndjekur rrugën gjyqësore për ta kundërshtuar.

Procesi gjyqësor ka vijuar në tre shkallët e gjyqësorit dhe çudia ndodh kur në kohën që Gjykata e Lartë, me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, Gjykata e Durrësit në një proces paralel i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer.

Me këtë vendim, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme në emër të kompanisë “Saudi Brothers Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator. Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Saudi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014 ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove shtetasve Fejzi dhe Marjeta Kodra. Këta dy shtetas vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre te Emiljano Shullazi, ndërsa pak kohë më vonë edhe vetë arabët ja dhurojnë pjesën e mbetur të pronës Emiljano Shullazit.

Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre, gjithçka mbeti në kuadër të dyshimeve dhe prokuroria nuk arriti që të bindë gjykatën për të bllokuar këtë pronë. Sekuestroja e vendosur përkohësisht në kuadër të ligjit “antimafia” u hoq dhe prona iu rikthye Emiljano Shullazit dhe ortakëve të tij. Tashmë, përmes një tjetër ligjit, atij të “OFL”-së kërkohet sërish e njëjta gjë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë