Drejtësia

SPAK kërkon përjashtimin e gjyqtares Olldashi për konflikt interesi, pas kërkesës së Malltezit që t’i kthehen pronat

Gazeta Si - SPAK ka pranuar që gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e cila vendosi të zbutë masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, është në konflikt interesi.

Gjykata e Posaçme e Apelit nuk mundi dot të zhvillonte dot sot seancën ku do të shqyrtohej kërkesa e Malltezit për lirimin e 25 pasurive të vëna në sekuestro nga SPAK.

Shkak për shtyrjen, u bë kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për përjashtimin e gjyqtares me argumentin se ka konflikt interesi.

Olldashi është gjyqtarja që ndryshoi masën e sigurisë të Malltezit nga “Arrest në burg” në Arrest shtëpie”. Kërkesën për përjashtimin ose jo të saj, do ta shqyrtojë gjyqtarja Miliana Muça.

Sipas Report Tv, gjyqtarja ishte në konflikt interesi, pasi ka blerë një banesë në kullat e ndërtuara te ish-kompleksi “Partizani”.

Apartamenti ku ajo jeton është ndërtuar pikërisht nga kompania “Homeplan” që është në qendër të procesit dhe atje është aksioner Jamarbër Malltezi, person nën hetim për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash” që ndodhej në burg.

Jamarbër Malltezit i janë sekuestruar 25 pasuri, ndër to apartamente, një vilë, 6 llogari bankare dhe aksione në kompani.

Pak ditë më parë, gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi të nxirrte nga qelia Malltezin, duke i caktuar masën e sigurisë nga “arrest në burg”, në “arrest shtëpie”.

Megjithatë, pas këtij vendimi, Prokuroria e Posaçme do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër lirimit nga burgu të Jamarbër Malltezit.

Sipas vendimit të Apelit të Posaçëm, Malltezi urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë me të.

Gjyqtarja Ilirjna Olldashi, argumentoi për dhënien e vendimit se Malltezi nuk mund të prishë provat dhe nuk ka rrezik të largohet jashtë vendit.

Ndërkohë që prokurorët e SPAK-ut, kërkojnë qëndrimin në burg të Malltezit, pasi sipas tyre nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë