Rend dhe Ligj

SPAK kërkon para, Ibrahimi: Ligji për Prokurorinë e Posaçme mund të ndryshojë

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi paralajmëroi se mund të rishikohet ligji për funksionimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për të rishikuar kompetencat dhe juridiksonin e kësaj strukture sa i takon korrupsionit.

Kreu i KLP-së thotë se parashikimi aktual ligjor e ngarkon SPAK me hetimin e një portofoli veprash penale më të zvogëluar në krahasim me ish-Prokurorinë për Krimet e Rënda.

“Një çështje tjetër me rëndësi jetike është zgjedhja që bën legjislatori në lidhje me juridiksionin e SPAK, zgjedhja e portofolit të veprave penale që hetohen nga Prokuroria e Posaçme. Po ta krahasosh sferën e çështjeve penale që heton sot SPAK në krahasim me sferën e Prokurorisë për Krimet e Rënda, është e dukshme një ngushtim vetëm tek ato vepra që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin”, tha ai

Megjithatë, Ibrahimi mendon se një ngushtim i mëtejshëm i këtij portofoli hetimi sa u takon akuzave për korrupsion është i nevojshëm. Ai nënkuptoi se juridiksioni i SPAK për hetimin e akuzave për korrupsion në të gjithë vendin mund të shkaktojë ngarkesë dhe volum të papërballueshëm për këtë strukturë.

“Nuk e di nëse zgjedhja që është bërë për juridiksionin e SPAK të korrupsionit është apo jo më e mira? Fakti që SPAK do të hetojë edhe çështjet më banale të korrupsionit në cepat më të largët të vendit…ndaj vendimet në lidhje me juridiksionin të jenë të tilla që të mundësojnë rezultate. Është e domosdoshme që portofoli të jetë më i reduktuar dhe të jetë i orientuar ndaj atyre funksionarëve që kanë peshë. Kjo edhe mund të rishikohet në të ardhmen, por sidoqoftë kemi një zhvillim të madh cilësor”, deklaroi ai.

Ibrahimi ngriti si shqetësim mungesën e parave për drejtësinë e re.

“Ne jemi në kushtet e një nënfinancimi në mënyrë dramatike dhe shpresoj që i dhashë rëndësinë e duhur këtij pohimi që sapo bëra. Ne të gjithë, KLP dhe SPAK jemi të nënfinancuar në mënyrë dramatike dhe nënkuptohet që nuk mund të ketë rezultate me vështirësi të tilla financiare”, u shpreh kreu i KLP-së.

Ndarja e kompetencave administrative dhe të menaxhimit në sistemin e ri të drejtësisë, Ibrahimi e vlerësoi si pozitive dhe thotë se sistemi i ri bën drejtuesin e institucionit personalisht përgjegjës, si për suksesin, ashtu eedhe për dështimin, megjithëse ka vështirësi në koordinim me institucioneve.

Pika tjetër që kreu i KLP-së i mëshoi rëndësi ishte transparenca.

“Është thelbësore që publiku të kuptojë që këto struktura, kanë dhënë apo jo rezultate, pra është fjala për përgjegjshmërinë e organeve. Ka zhvillime pozitive në këtë pikë. Vetë përzgjedhja që ka qenë një proces që për nga interesi mund të krahasohet vetëm me telenovelat më të suksesshme, mendoj që është hapi i parë drejtë garantimit të transparencës dhe ruajtjes së vëmendjes së publikut mbi këtë institucion”, u shpreh ai.

Ndërkohë, kreu i SPAK, Arben Kraja bëri bilancin e muajit të parë të punës për këtë strukturë.

“Për ne ka qenë një “luftë” për të kapur situatën në dorë dhe marrë nën administrim dosjet hetimore të trashëguar nga Krimet e Rënda dhe të dosjeve të tjera që kanë ardhur nga prokuroritë e tjera, për të krijuar administratën dhe për të filluar punën dhe hartuar një numër të madh aktesh administrative në aspektin e krijimit dhe funksionimit të strukturës”, u shpreh ai.

Deklaratat u bënë gjatë një tryeze të organizuar nga Ambasada e Holandës në Tiranë për hetimin financiar dhe korrupsionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë