Politike

Sot Kuvendi Kombëtar i Bashës, thellohet edhe më tej ndarja e PD dhe me kampin e Berishës

Partia Demokratike zyrtare e Lulzim Bashës mbledh sot, duke nisur nga ora 10.00, Kuvendin Kombëtar. Nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, kryetari Basha ka njoftuar ndryshimin e statutit, ndryshimin e kupolës drejtuese, ndryshimin e kreut të Grupit Parlamentar, që sipas statutit, zgjidhet në mesin e nënkryetarëve të partisë.

Pas disa fjalimeve të disa të rinjve dhe disa mbështetesve të kryetarit aktual të PD, do të mbajë fjalën e tij për gati 1 orë kreu i PD, Lulzim Basha. Pas kësaj do të prezantohen ndryshimet, të cilat do të sqarohen nga Komisioni i Ndryshimeve Statutore, për t’u votuar më pas ngritje kartoni.

Është njoftuar gjithashtu votimi i Këshillit të ri Kombëtar. Kuvendi nuk do të thërrasë 7646 delegatët që ky organ i PD kishte përpara ndarjes së demokratëve. Listat, sikurse ndodhi me Këshillin Kombëtar do të pastrohen nga berishistët dhe me rifreskimet e bëra në Kuvend do të marrin pjesë rreth 5000 delegatë nga rreth 7000 që kanë qenë.

Më 18 dhjetor u mbajt Kuvendi i fundit i PD zyrtare, në kulmin e luftës me grupimin e Sali Berishës ku Basha mblodhi 5004 delegatë dhe vendosi që personat non grata të qëndrojnë larg drejtimit të partisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë