Lajme

Sot Kosova voton!

Qytetarët në Kosovë u janë drejtuar për herë të gjashtë që nga shpallja e pavarësisë, kutive të votimit për të zgjedhur sot përfaqësuesit e tyre në Kuvendit dhe qeverinë e re të Kosovës.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë ,përfshirë edhe qytetarët e Diasporës. Bashkimi Evropian ka dërguar një mision prej 100 monitoruesish për vëzhgimin e zgjedhjeve (EOM) në Kosovë, të cilat po ashtu po monitorohen edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 30 për qind e votuesve.

Komuna e Shtërpcës, në bazë të këtyre të dhënave, prin me numrin më të madh të votuesve, deri në rreth 43 për qind. Komuna e Zveçanit dhe Novobërdës me rreth 40 për qind, pasuar nga Komuna e Zubin Potokut dhe Leposaviqit me rreth 38 për qind.

Presidenti Hashim Thaci voton, Gazeta Si, 6 tetor 2019

Incidenti i vetëm i raportuar ka qenë ai në Veri të Kosovës. Sipas medieve serbe, në Zveçan dhe Leposavië komisionerët janë përplasur për mënyrën e votimit. Incidenti është konfirmuar edhe nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili duke folur Mitrovica e Veriut, u shpreh se “nuk e kupton pse të gjithë ata qytetarë serbë që e kanë emrin në listat e zgjedhësve, nuk mund të votojnë dot me letërnjoftim serb”. Ai ka ftuar serbët e Kosovës që të dalin masivisht në votime. “Siç edhe e keni parë, serbët e Mitrovicës kanë dalë masivisht të votojnë; po dalim për një jetë më të mirë për të bërë që të dëgjohet zëri ynë”.

Po ashtu edhe Presidenti Hashim Thaçi u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe të ndershëm. Me anë të një postimi në Facebook, Thaçi shprehet: “Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara. Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe fer. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova”.

Haradinaj voton, Gazeta Si, 6 tetor 2019

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka votuar në një shkollë të mesme në Prishtinë, së bashku me gruan e tij, Anitën.

Ai i bëri thirrje qytetarët të dalin në votime, duke deklaruar se që vetëm ata që votojnë vendosin për fatin e tyre.

“Unë dhe Anita e shfrytëzuam të drejtën e votës.I bëj thirrje qytetarëve të vendit pa marrë parasysh bindjeve politike, apo çfarëdo përkatësie, të votojnë. Vetëm me votë vendosim. Për ata që s’votojnë, do të vendosin të tjerët për ta. Gjithçka ka shkuar si duhet deri tani”, tha ai.

Kadri Veseli voton, Gazeta Si, 6 tetor 2019


Nga ana tjetër, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëkohësisht kandidat për kryeminisitër, Kadri Veseli, pas votimit, u shpreh: “Sot është një ditë e mirë e jashtëzakonshme për Kosovën tonë të shenjtë. I uroj qytetarët, do t’i hapin perspektivën Kosovës, fëmijëve tanë, përhajr na qoftë të gjithëve!”.

Edhe kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas votimit dha një prononcim të shkurtër për mediat. “Sot është një ditë e veçantë. Të gjitha partive e politikanëve u përgjigjet populli si burim i sovranitet. Sot s’ka rëndësi a je i pasur a i varfër, a vjen nga fshati a qyteti. A ke mbaruar shkollim të lartë apo jo. Të gjithë jemi të barabartë. Të gjithë ta shfrytëzojnë këtë shans historik për nga karakteri. Le të votojmë e le të festojmë”, tha kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.

Albin Kurti voton, Gazeta Si, 6 tetor 2019

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka votuar në qendren e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë, raporton Express.

Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë.

“Thirrja ime është për të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj dite historike. Besoj shumë që nëpërmjet një procesit të lirë dhe demokratik Kosova sot, do të ketë arsye për të festuar. Urojë që gjithçka të shkojë pa asnjë presion “, ka deklaruar Vjosa Osmani para gazetarëve.

Vjosa Osmani voton, Gazeta Si, 6 tetor 2019

\Në zgjedhjet në Kosovë, ka votuar edhe Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj. Pasi ka hedhur votën e tij në ambientet e shkollës “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë, Cakaj u shpreh “vota është ushtrimi më i frytshëm i demokracisë. “Unë nuk jam thjesht një shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, por jam edhe një qytetar aktiv i cili beson që fati i këtyre dy vendeve është i pandashëm. Qoftë zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, qoftë zgjedhjet e tetorit tani pavarësisht dallimeve të dy vendeve, kanë diçka të përbashkët, janë shprehje e vullnetit të përgjithshëm politik”, tha Cakaj. “Kosova ka ndërtuar një traditë të zgjedhjeve të lira e demokratike dhe kjo është për t’u vlerësuar sepse shërben si shembull në rajon. Kosova po ballafaqohet me dy grupime sfidash në periudhat që po vijnë, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë, si dhe nga ana tjetër konsolidimin e shtetit në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ministri i qeverisë së Shqipërisë.

I pyetur nga mediat se si e pret një reagim të Beogradit për votimin e tij edhe në Tiranë edhe në Prishtinë, Cakaj tha se “voton në bazë të bindjeve të tij dhe në përputhje me interesat e vendit të tij Kosovë dhe Shqipëri, nuk ka shqetësim për reagimet e Beogradit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë