Politike

Ngrihet grupi i dialogut për ‘Reformat’, Bylykbashi: Prioritet, reforma zgjedhore. Gjiknuri: Aministia Penale është e tejkaluar

Pas dakordësisë mes PD së Rithemelimit dhe Partisë Socialiste, sot ka filluar punen grupi i dialogut për ligjet që kërkojnë shumicë votash, 3/5, dhe ligjet e nevojshme për rrugëtimin në Bashkimin Evropian.

Mbledhja është mbajtur në sallën e Komisionit parlamentar të Ligjeve me dyer te mbyllura.

Mekanizmi i dialogut do të ketë 3 anëtarë nga opozita dhe 3 nga mazhoranca.

Gazmend Bardhi ka njoftuar më herët publikisht se njëri anëtar do të jetë nga PD e Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, Erisa Xhixho nga Partia e Lirisë, ndërsa anëtari iu propozua një deputeti nga grupi Basha, por ftesa u refuzua publikisht. Anëtare zëvendësuese do të jetë Dhurata Çupin.

Oerd Bylykbashi përcaktoi si prioritet reformën zgjedhore.  

“Prioritet i opozitës është pikërisht trajtimi i reformës zgjedhore  do të trajtohen edhe çështje të tjera. Amnistia penale nuk ishte çështje që u diskutua, ajo që ramë dakord është që do të listohet në një mbledhje objekti i punës, çështjet që janë prezente në kuvend për t’u zgjidhur, çdo gjë në hapësirën që do të përcaktojë.  Ai është vendim i konferencës së kryetarëve, puna do të jetë transparente”, tha ai.

Nga mazhoranca anëtar janë Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu.

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së “grupit të dialogut” e vuri theksin tek ligji i Reformës Zgjedhore dhe Amnistia Penale.

Ai e cilësoi projektligjin për Amnistinë si të tejkaluar duke theksuar se po diskutohet mes kryetarëve të grupeve parlamentare.

“Këtë vendimmarrje patëm sot, për të filluar modalitetin e punës për çuarjen përpara të procesit të mbetur të ligjit zgjedhor. Amnistia është gjë e tejkaluar tashmë, është në seancë, por nuk e diskutuam sot. Por besoj se edhe Amnistia do kalojë me konsensus”- tha Gjiknuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë