Futboll

Sot java e 5 e Superiores, vëmendja te Vllaznia-Kukësi

Në 4 javët e para të kampionatit Vllaznia ka bërë një paraqitje mbresëlënëse, duke mundur Tiranën kampione në fuqi dhe duke i marrë pikë Teutës në fushën e saj, përveç fitoreve me Apoloninë dhe Skënderbeun. Kryeson me meritë me 10 pikë dhe sot pret Kukësin në “Loro Boriçi”. Kjo është edhe ndeshja më e rëndësishme e javës së 5-të të kampionatit.

Kukësi vjen pas fitores me Laçin, që i ka dhënë moral për ngjitjen, pas atij fillimi shumë të dobët. Ekipi do të drejtohet sërish nga Hallaçi, pasi trajneri Skënder Gega po kurohet në Turqi, ku shkoi pasi gjendja e tij u rëndua nga Covid-19. Pritet që në Shkodër të luhen 90 minuta me emocione, të dyja skuadrat luajnë futboll të hapur dhe do të kërkojnë me ngulm fitoren. Vllaznia nuk ka sot Isaevskin e ndëshkuar me karton të kuq në Durrës.

Partizani feston fitoren në Fier. Gazeta Si, 29 nëntor 2020

Partizani do të ndeshet me Skënderbeun në Elbasan dhe me atë që tregoi në ndeshjen e fundit në Fier, është favorit ndaj korçarëve. Këta të fundit mund të kenë mungesa, pasi disa lojtarë kanë shfaqur probleme dhe mbetet për t’u konfirmuar, nëse janë me Covid-19 apo jo. Trajneri Ilir Daja ka përballë ekipin që e ka drejtuar dy herë vitet e fundit, e ka shpallur kampion dhe e ka çuar deri në grupet e Ligës së Europës. Patjetër që do të kërkojë fitoren, pasi tani synon suksesin me të kuqtë.

Tirana luan në Kamzë me Kastriotin dhe ndoshta për trajnerin Nevil Dede do të jetë “e treta, e vërteta”. Ai ka dy javë që drejton bardheblutë dhe nuk ka mundur të fitojë asnjë ndeshje. Krutanët vijnë pas disa ndeshjesh të mira dhe mund ta vënë në vështirësi Tiranën. Laçi pret Apoloninë dhe ka shansin të kapërcejë krizën. Pas largimit të Cungut, në stol do të jetë Stavri Nica. Teuta luan në fushën e Bylisit, që është larg atij ekipit të sezonit të shkuar.

Superiore, java e 5-të
Sot, orë 13:45
Kastrioti-Tirana
Bylis-Teuta
Laçi-Apolonia
Ora 16:45
Partizani-Skënderbeu
Vllaznia-Kukësi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë