Lajme

Sot do miratoheshin kandidatët për kryeprokuror, KLP shtyn mbledhjen

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shtyrë mbledhjen që ishte parashikuar sot në orën 12:00 për të miratuar kandidaturat për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Nëpërmjet një njoftimi është bërë me dije se mbledhja e Këshillit do të shtyhet për ditën e mërkurë në orën 10:00, për shkak se deri në momentin e zhvillimit të saj nuk ka mbërritur zyrtarisht letra e Komisionerit Publik për ankimimin ose mosankimimin e vendimit të KPK-së së datës 4 Shtator 2019 për kandidatin për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Olsi Çela.
Katër kandidatë që kanë shprehur interesin për detyrën e kryeprokurorit janë: Arta Marku (kryeprokurore në detyrë), Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj.

Komisioneri Publik: Afati për shqyrtimin e ankimimit mbaron sot

Ndërkohë pak pasi KLP njoftoi se mbledhja e planifikuar për sot, për miratimin e kandidatëve për kryeprokuror është shtyrë për të mërkurën pasi nuk kishte marrë letrën zyrtare nga Komisioneri Publik për kandidatin Olsian Çela, vjen edhe reagimi i Komisionerit Publik.
Në një njoftim për mediat, Komisioneri Publik sqaron se “nisur nga fakti që afati 15-ditor, në rastin konkret, mbaronte më datë 21.9.2019, ditë e shtunë, bazuar në nenin 148 të Kodit të Procedurës Civile dhe nenit 56 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për paraqitjen e ankimit mbaron ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit, pra sot, e hënë, datë 23.9.2019”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë