Lajme

Sot Banka e Shqipërisë do blejë euro në treg

Guvernatori i Bankës Qendrore Gent Sejko në konferencën e fundit për shtyp në fillim të muajit tetor u shpreh se kursi i këmbimit është nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për inflacioni. Po ashtu BSH ka bërë me dije herë pas here se situata e tregut valutor është nën monitorim dhe do të ndërhyet kur të shihet e nevojshme.

Banka ka njoftuar se të premten më datë 18 tetor 2019 do të ndërhyrjë në tregun valutor në nivelet 3-4 milionë euro, që pritet të ndikojë në kursin e këmbimit për zhvlerësimin e monedhës kombëtare, lek.

Ky njoftim është reflektuar menjëherë në kursin e këmbimit. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë një euro u këmby të enjten me 123,78 lekë ose 0,28 pikë përqindje më shumë.

Burimi: BSH

Gazeta “Si” ka folur sot me disa agjentë të këmbimit valutor në kryeqytet, të cilët thonë se “nuk ka vend për panik tek qytetarët. Banka e Shqipërisë e bën shpesh këtë si procedurë”- duke shtuar se 3-4 mln euro nuk është shumë e madhe.

Problemi që agjentët e këmbimit valutor dhe ekspertë të ndryshëm të ekonomisë ngrenë në lidhje me kursin e luhatshëm të këmbimit dhe rënien drastike të euros vitet e fundit, është euro jashtë sistemit, pra euro informale.

Për agjentët e këmbimit valutor, euro informale është arsyeja pse leku është forcuar dhe euro është zhvlerësuar.

Sipas BSH-së ndërhyrjet në tregun valutor kryhen për shmangien e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor, përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomikë si dhe rritjen ose uljen e rezervës valutore.

Për 2019-ën kjo është ndërhyrja e 8-të e Bankës qendrore në tregun valutor. Deri në muajin shtator Banka Qendrore ka blerë 57.2 milionë euro për rritjen e rezervës valutore por dhe zbutjen e mbiçmimit të lekut ndaj euros.

Në ankandet e 3-mujore janë blerë 39.20 mln euro, pas 18 mln eurove të blera në 2 ankandet e 3-mujorit të parë. Në të gjitha rastet, Banka e Shqipërisë ka përdorur opsionin e blerjeve në raund-in e dytë, sikurse parashikohet në rregullore.

Gjatë 2018-s, Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej një sasi rekord prej 463 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në vitin 2018, ku pjesa më e madhe e kësaj ndërhyrjeje ishte për të frenuar rënien e euros e cila në muajin qershor të atij viti arriti në nivelin më të ulët të 10 viteve në rreth 124 lekë. Po ashtu edhe për të amortizuar efektet e konvertimit të kapitalit të bankave dhe një kredie të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe më pak për të rritur rezervat e saj valutore.

Megjithatë, për 2018 kursi mesatar i këmbimit të euros ndaj lekut ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë.
Tendenca rënëse ka vijuar dhe në 2019-n. Euro ka humbur rreth 3 lekë në krahasim me fillimin e këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë