Futboll

Sormani “kurorëzon” Tiranën kampione, Partizanin e do në Europë

Pas gati tre muajsh rinis kampionati i Superiores, i ndërprerë pas javës së 26-të për shkak të pandemisë së koronavirusit. Partizani, për momentin jashtë Europe, i 6-ti në kampionat me 38 pikë dhe i eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, duhet të kapë patjetër zonën europiane në 10 javët e mbetura të garës.

Trajneri i të kuqve, Adolfo Sormani, në konferencën e zakonshme të shtypit një ditë para ndeshjes me Skënderbeun, theksoi se situata aktuale është krejtësisht e panjohur dhe nuk mund të bëhen parashikime. Gjithsesi, ai u shpreh se Partizani duhet të kapë Europën, ndërkohë që “kurorëzoi” Tiranën kampione me një batutë: “Titulli? Vetëm nëse Tiranës i bie të fiktë”.

Trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani. Gazeta Si, 2 qershor 2020

“Është një situatë e panjohur, pasi diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Të rinisësh kështu, me pak stërvitje, pa ndeshje miqësore, do të jetë një e panjohur për të gjithë. Gjithçka ka ndryshuar dhe për mua është e vështirë të parashikoj çfarë do të ndodhë. Duhet të shohim gjendjen fizike të ekipit, dëmtimet, që sipas meje, do të jenë të shumta. Skënderbeu? Mendoj se ndeshjet nuk do të kenë intenistet të lartë, do të ketë momente të ndezura, por edhe momente të një qetësie të madhe. Është e sigurt se lojtarët nuk do të jenë në ritëm, por ndeshja do të ketë rivalitet.

Të shpresojmë që kampionati të mbyllet normalisht dhe futbollisti i Bylisit të jetë mirë. Nuk shoh si problem kalendarin, pasi duhet të luajmë ndaj të gjithëve. Problem është si do të sillemi në ndeshje, pra varet shumë nga ne, jo nga kundërshtarët që do të kemi. Objektivi është në çdo ndeshje është ai që kemi pasur që në fillim, të fitojmë. Lojtarët kanë punuar shumë mirë, kanë bërë maksimumin për të qëndruar në formë, por asnjë nuk mund ta parashikojë atë që do të ndodhë. Do të ishte absurde të thuash se skuadra jote është në formë.

Objektivi i skuadrës është të arrijë Europën, ky është minimumi që duhet të arrijmë. Titulli? Vetëm nëse Tiranës i bie të fiktë. Kukësi është afër dhe mund të tentojë në 10 ndeshje, pasi janë 30 pikë në lojë, nuk janë pak. Duhet parë reagimi i Kukësit. Dëmtimet do të jenë problem, po të shohim kampionatin gjerman, që është i pari që rifilloi, numri i dëmtimeve është i lartë. Nuk mund të bëjmë sikur nuk do të ketë dëmtime”, - tha mes të tjerash para gazetarëve trajneri i Partizanit, Sormani. Partizani pret nesër Skënderbeun në stadiumin “Selman Stërmasi”, në orën 20:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë