Politike

Sondazhet: 70% e grekëve kundër emrit të ri të Maqedonisë

Ndërkohë që Greqia bëhet gati për një përballje të pashembullt politike për ratifikimin e marrëveshjes së emrit me Maqedoninë, një pjesë e qytetarëve kanë rënë sërish pre e nacionalizmit, duke mbajtur të dielën protesta të dhunshme në Athinë.

Marrëveshja Prespës do të shkojë sot përpara komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit për debat. Mbetet e paqartë se sa sesione do të kërkojë komisioni për të shqyrtuar marrëveshjen përpara se ta dërgojë zyrtarisht për votim në parlament. Megjithatë, kryetari i parlamentit Nikos Voutsis deklaroi javën e kaluar se marrëveshja do të shkojë për ratifikim deri në fund të kësaj jave.

Por shoqëria greke dhe bota politike e vendit fqinj është thellësisht e ndara. Sipas sondazheve, publiku është kundër marrëveshjes dhe deri në 70% e qytetarëve grekë janë shprehur kundër saj.

Protesta kundër marrëveshjes së Prespës në Athinë

Sipas opinionistëve në Greqi, dhjetëra mijëra protestuesit që demonstruan në mitingun e së dielës në Athinë, treguan edhe një herë se ndjenjat nacionaliste mbi këtë çështje janë të larta.

Kryeministri Alexis Tsipras fajësoi ekstremistët për dhunën përpara ndërtesës së parlamentit, ndërsa udhëheqësi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, kritikoi qeverinë për përdorimin e zgjeruar të gazit lotsjellës dhe bëri thirrje për një hetim. Pavarësisht nga zërat e arsyes që kërkojnë bashkëpunim dhe arritjen e një kompromisi, Tsipras dhe Mitsotakis duke se po përgatiten për të sfiduar njëri-tjetrin në parlament.

Kryeministri i majtë po përpiqet të përdorë marrëveshjen e Prespes për të krijuar një koalicion të gjerë "progresiv" që shtrihet përtej Syriza-s, ndërkohë që udhëheqësi konservator i Demokracisë së Re, i cili kryeson në sondazhe, po përpiqet ta mbajë partinë e tij të bashkuar, pasi mbi çështjen e emrit ka qasje të ndryshme, dhe të fitojë zgjedhjet e ardhshme me një shumicë absolute.

Protesta kundër marrëveshjes së Prespës në Athinë

SYRIZA qeverisëse ka 145 deputetë dhe tanimë duket se ka siguruar votat e ministres së turizmit Elena Kountoura, deputetëve të Potamit, Stavros Theodorakis, Spyros Lykoudis dhe Giorgos Mavrotas, Spiros Danellis dhe deputetit Thanasis Papachristopoulos.
Mbrëmë edhe Thanasis Theocharopoulos, kreu i të Majtës Demokratike deklaroi se do të mbështeste marrëveshjen. Po ashtu edhe Zëvendësministrja e Sigurisë së Qytetarëve Katerina Papacosta, ish-anëtare e Demokracisë së Re, pritet gjithashtu të votojë pro marrëveshjes. Pra, sipas përllogaritjeve, marrëveshja e Prespës pritet të kalojë me të paktën152 ose 153 vota.

Ish-kryeministri Jorgos Papandreu, i cili nuk është anëtar i parlamentit, por ka punuar pafund për këtë çështje, si ministër i jashtëm dhe kryeministër, ka dalë po ashtu publikisht në mbështetje të marrëveshjes, një lëvizje që erdhi në kohën e duhur për Alexis Tsipras.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë