Njerez

Solidariteti në rrjetet sociale, për 24 orë mblidhet shuma për të rikthyer mësuese Ina Kasimatin në atdhe

Solidariteti në rrjetet sociale, për 24 orë mblidhet shuma për të rikthyer mësuese Ina Kasimatin në atdhe

Nga Gazeta Si- 17 mijë euro duhej të mblidheshin për 10 ditë por kanë mjaftuar pak më shumë se 24 orë që shqiptarët të bëhen bashkë dhe të mbledhin shumën për të rikthyer në shtëpinë e saj mësuesen dhe aktivisten Ina Kasimatin, historia e të cilës njihet prej vitesh, edhe pse ndoshta jo nga çdo njeri që është solidarizuar duke dhuruar.

Prej vitesh, Ina Kasimati, mësuese e biologjisë por dhe një aktiviste në kauza të ndryshme, po lufton betejën më të madhe të jetës së saj.

Prej dy vitesh, Kasimati po lufton me kancerin që i është rikthyer, më i ashpër se më parë. Pasi bëri çmos në Shqipëri, mësueses nuk i mbeti zgjidhje tjetër vetëm që të shkonte për kurim në Francë, ku ndodhet prej dy javësh.

Metastazat i janë përhapur dhe kanë bërë dëmtime në trupin e saj. Por, dëshira e mësuese Inës është të rikthehet në Atdhe, në shtëpinë e saj në Vlorë. Por nuk kthehet dot me avion, vetëm me çarter mjekësor, pasi nuk mund të shkëputet nga aparaturat.

Me një letër drejtuar gjithë shqiptarëve, ajo ka kërkuar dhe një herë ndihmën e të gjithëve.

“Unë jam Ina Kasimati, shumë më njohin si zysha, disa të tjerë si aktiviste, shumë të tjerë, si njeriun që po lufton fort për jetën. Besimi im më i fortë gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë tek Zoti, dhe tek ju miqtë e mi, të njohur e të panjohur, të cilët para dy vitesh më dhatë mundësinë të kisha shpresë e të luftoja më shumë.

Tash pas 2 vitesh kam nevojën tuaj, miqtë e mikeshat e mia, të njohur e të panjohur. Sëmundja e përbindshme në mua ka përparuar, aq sa metastazat kanë bërë dëmtimet e tyre.

Kërkoj të kthehem në Atdhe, në Vlorën time, dhe kjo dëshirë e imja, u përkrah edhe nga mjekët, të cilët më deklaruan se ilaçi më i mirë për mua është familja ime. Mendja, shpirti im janë optimistë, sepse unë dua të jetoj, unë e dua jetën!

Prej dy javësh jam e shtruar në spitalin onkologjik të Strasburgut, Francë, ku po mbahem me tuba e sondë dhe kthimi në Shqipëri nuk mund të bëhet me avion, por vetëm me çarter mjekësor, pasi nuk mund të shkëputem nga aparaturat. Ky çarter ka një kosto prej 17.000 eurosh (shtatëmbëdhjetë mijë euro).

Unë kam besim tek fuqia e solidaritetit tuaj, që së bashku me birin tim, Amantin, i cili ka qenë forca ime më e madhe e çdo ditë, të vijmë në Shqipëri të sigurt. Dhe ky kthim duhet të bëhet brenda 10 ditëve. Prandaj ju kërkoj me përulje, mirënjohje edhe njëherë të më ndihmoni të vij në Shqipërinë time. Zoti ju bekoftë!”, thotë mësuesja në letër.

Por dëshira e saj është plotësuar shumë më shpejt se brenda 10 ditëve, madje, për shkak të solidarizimit të pashëmbullt që kishte, deri më tani janë mbledhur mbi 34 mijë euro.

Beteja e gjatë me sëmundjen dhe pozitiviteti që e ka shoqëruar mësuesen

“Nuk e kisha pritur gjithë këtë solidritet human”, do të deklaronte mësuesja në 2022, kur po ashtu u mblodhën para për kurimin e saj, duke shtuar se ajo ka bërë detyrën e saj si nënë, si mësuese, si grua dhe si qytetare e ndihma e të gjithëve është shumë domethënëse për të.

Në 2019 mësuese Ina e ka kapur sëmundjen në stadin e dytë.

“Përballimi i një gjendje të tillë është informacioni dhe kurajo për të përballuar të vërtetën. Çdo grua duhet ta dojë trupin e saj dhe në momentin që e do duhet ta pranojë atë që i ndodh”, tha në 2019 mëseusja ndërsa dërgonte mesazhe sensibilizimi tek çdo grua.

Ndër të tjera, asokohe, ajo ka theksuar se një nga sfidat më të vështira ishte dhe komunikimi me djalin e saj student, i cili duket se e ka pasur shumë të vështirë të pranojë sëmundjen e nënës së tij.

“Djali i vogël nuk e ka kuptuar, por i madhi po dhe duke komunikuar me të i kam shpjeguar atë që po ndodhte. Në fillim ai është tronditur shumë se ishte dhe student por tashmë po mundohem që të jem aktive dhe shpesh mundohem të largohem pak dhe të bëjnë në mënyrë natyrale jetën”, ka thënë në 2019 mësuesja.

Pasi e mposhti në 2019, kanceri iu rikthye në 2022, këtë herë më i ashpër. Por as kjo nuk ia largoi pozitivitetin, ku çdo herë që është shprehur në media, ajo ka thënë se ndjen se ka forcën e duhur për të përballuar edhe një herë sëmundjen. Mësuese Ina kërkoj ndihmën e shqiptarëve për t’iu rikthyer jetës së saj, në qytetin ku gjen qetësinë shpirtërore dhe kjo tashmë është arritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë