Editorial

Socialistët dhe qeveria e tyre tani kanë përgjegjësi politike për inflacionin

Nga Gazeta 'Si'-Një punim i fundit për inflacionin në vendet e Ballkanit Perëndimor, nga një grup ekspertësh, i autorizuar për publikim nga shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, nuk mbetet një kuriozitet i thjeshtë për ekonomistët.

Nëse do të gjykohej politikisht, ky punim tingëllon siç tingëllon një kambanë alarmi për ata që duan ta dëgjojnë, sidomos për socialistët dhe qeverisjen e tyre.

Punimi megjithëse e rithekson që në krye se “inflacioni aktual është rritur në nivele që janë parë prej shumë dekadash në shumë vende për shkak të një rikuperimi të fortë të kërkesës pas pandemisë, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe rritja e çmimeve të mallrave janë përkeqësuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë”, nuk e shkarkon përgjegjësinë e qeverive të Ballkanit ku afërmendsh përfshihet edhe ajo shqiptare.

Ky “working paper“ i FMN-së i cili ka për qëllim të kuptojë dinamikën e inflacionit në secilin vend u jep një përgjigje të mirë politikëbërësve duke ju thënë se: “Tashmë rritja e çmimeve dhe qëndrimi i tyre në nivele të larta nuk po varen më nga faktorët e jashtëm.”

Teknikisht punimi vëren se “rreth dy të tretat e luhatjes së inflacionit në një vit dhe rreth gjysma e luhatjeve në periudhë afatmesme (3 vjet) janë pasojë e goditjeve të brendshme”.

Troç: Qeverisja tani duhet të marrë përgjegjësitë ..

Instituti Zyrtar i Statistikave tregoi se dhe në shkurt, një vit pas fillimit të luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë, çmimet e vezës, bulmetit, vajrave etj kanë rritje dyshifrore. Është një rritje që nuk po ndalet e jo më të bie.

Qeveria mund të pretendojë se është e përgjegjshme për pasojat traumatike të çmimeve pasi ka rritur disa herë rrjesht pagën minimale, ka marrë vendime për të rritur pagat e disa kategorive të tjera profesionesh, ka tentuar të kontrollojë tavanin e çmimeve të karburanteve, po mban zero tatimin mbi fitimin për biznesin e vogël të të vetëpunësuarve,nuk rriti çmimin e shitjes me pakicë të energjisë për familjet etj, me qëllim për të krijuar disa mundësi financiare për të përballuar rritjen e çmimeve.

Edhe Banka Qendrore mund të thotë se ka rritur normën e interesit për të frenuar inflacionin paçka se jo pak herë Guvernatori është treguar i shqetësuar për mos rakordim të veprimeve të qeverisë me ato të Bankës.

Por çmimet po rriten dhe inflacioni nuk po ulet, rritja e kostos së jetesës ka filluar të ndikojë negativisht në besimin dhe kërkesën e brendshme dhe parashikimet për rritjen ekonomike në 2023 dhe 2024 janë të ulëta, më pak se 4 përqind.

Duket se megjithëse ka konsum të energjive dhe premtimeve politike, ato nuk po japin rezultatin e pritshëm. Diçka e fortë po pengon ingranazhin qeverisës të lëvizë dhe droja qëndron se më së pari qeveria ende nuk e ka kuptuar se tashmë beteja për inflacion varet nga ajo dhe jo më fati i luftës në Ukrainë, paçka se fundi i saj është lehtësues.

Qeverisja duhet të nisë të kuptojë se dalëngadalë shqiptarët do të fillojnë të bëjnë atë përgjegjëse për çmimet e larta në tregje. 

Në një popullatë ndër më të varfrat në Europë dhe kur gjysma e buxhetit familjar harxhohet për ushqime dhe transport të cilat sot kanë edhe rritjen më të madhe të inflacionit, pakënaqësia ka gjasë të jetë edhe më e madhe.

Madje në kushtet e pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave me polarizim të theksuar pasuror, agresiviteti ndaj qeverisë mund të duket edhe irracional paçka se nuk është fill ashtu për një arsye fare të thjeshtë: shumica e shqiptarëve nuk kanë aq dhjamë që të durojnë gjatë e pa e ditur dhe sa gjatë.

Megjithëse punimi i FMN-së është thellësisht i një karakteri teknik dhe sugjerues, qeveria e sotme duhet t’i vlerësojë konkluzionet në mjedisin aktual politik.

Socialistët të përfaqësuar në mandatin e tyre të tretë qeverisës, dhe që pritet të jenë një tjetër sprovë elektorale për zgjedhjet lokale në maj, përveçse kanë partinë më të madhe në vend, dhe që shquhet edhe si një makineri e fuqishme propagande por edhe për agresivitetin e ndërveprimit në mediat sociale, e kuptojnë mirë çdo të thotë bjerrje e bazës së tyre mbështetëse.

Inflacioni është beteja e të varfërve dhe shtresave më në nevojë, ata janë edhe viktimat.

Nëse ata do të fillojnë të ndihen të papërfaqësuar dhe të pambrojtur nga një qeverisje që e mbështet ideologjinë tek kjo shtresë, atëherë socialistët do të përballen me deflacionin politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë