Ekonomi

Forumi i Ekonomisë / Balluku: Bonusi i dytë për pensionistët në shtator. BB: Fund proceseve burokratike

Nga Gazeta ‘SI’- Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Energjisë Belinda Balluku njoftoi sot se pensionistët do të kenë një tjetër bonus në muajin shtator, nga kontributi i vjelur nga prodhuesit e energjisë.

Pjesë e forumit Ekonomik në Tiranë, Balluku rikujtoi dhe të gjitha misionet e qeverisë, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe sigurisht ndalimin e emigrimit të kapitalit njerëzore.

“Trajtimi me seriozitet i problemeve do të limitojë largimin e njerëzve. Përdorja e kësaj retorike me qëllime të dëmshme politike  krijon një opinon më të keq për investitorët e huaj që duan të vijnë në Shqipëri. Rritja e pagës mesatare, digjitalizimi, transparenca janë faktorë pozitivë. Investitorët na kërkojnë transparencë. Mjafton të flisni me një investitor të huaj dhe do të kuptoni se ata ndihen më të sigurt”, - tha ministrja Balluku.

Ajo përmendi edhe të gjitha projektet e rëndësishme infrastrukturore dhe energjetike të Shqipërisë, që do të shërbejnë për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ridimensionimi i infrastrukturës me ndërtimin e një porti modern në Porto Romano, është një tjetër risi dhe kolonë mbështetëse për zhvillimin ekonomik shqiptar. Rrjetet hekurudhore janë industria e së ardhmes. Vijon puna për aeroportin e Vlorës, i cili në 2025 do të jetë gati – aeroporti më i madh në rajon. Investitorët ndihen më të sigurt për të investuar në Shqipëri. Në vitin 2029, Shqipëria do të jetë eksportuesi neto i energjisë për të gjithë rajonin, duke na vendosur kështu në një pozicion tjetër. Jemi totalisht në varësi të motit. Është kënaqësi që kemi këto ditë me shi. Në mëngjes zgjohemi me njoftimin se sa ka shkuar niveli në basenin e Fierzës, por ne nuk mund të vazhdojmë përgjithmonë. Një vend, i cili kërkon të zhvillohet nga ana industriale dhe ekonomike nuk mund të qëndrojë në varësi të shiut. Rritja e kapaciteteve ka qenë dhe do të jetë një prioritet i yni duke e kthyer këtë vend në një nga eksportuesit neto për të gjithë rajonin” shtoi Balluku.

Pjesë e forumit ishte edhe menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, Emmanuel Salinas, i cili tha se investitorët e huaj kanë një rritje të interesit në Shqipëri, por ka ende disa ngërçe për ta.

“Ne shohim një potencial të madh për Shqipërinë, ekonomia ishte e qëndrueshme edhe pse me rritje çmimesh. Që vendi të ketë vende më të mira pune, uljen e procedurave burokratike. Ka një rritje të interesit. Agrikultura duhet të jetë më e konkurrueshme dhe të jetë më shumë e investuar sepse ka peshë të rëndësishme në PBB. Një tjetër veprim duhet të jetë edhe diversifikimi i tregjeve në vendet europiane. Për ne, për të pasur produktivitet më të lartë, duket të aftësohen njerëzit. 15% e 50- vjeçarëve janë analfabetë. E shkuara nuk është mirë për t’u parë!”, -tha Salinas në fjalën e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë