Paketa e Maleve ishte një ndër pikat e tjera të komisionit të Ligjeve që shkaktoi debat midis deputetëve duke arritur në pezullimin e shqyrtimit të projektligjit.
Ishin fillimisht demokratët që kërkuan shtyrjen e shqyrtimit të këtij drafti, ndërsa deputeti Dash Sula kërkoi “zhdukjen” e këtij projektligji pasi është anti-kushtetues.
Socialisti Pandeli Majko ra dakord me kolegët e opozitës dhe po ashtu kërkoi shtyrjen e draftit, ndërsa Damian Gjiknuri propozoi t’i kërkohet opinion KQZ-së lidhur me akuzat se ligji shkel Kodin Zgjedhor.

“Propozoj ta dëgjojmë dhe t’i kërkojmë opinion edhe KQZ mbi këtë projektligj. Kodi ka disa ndalime sidomos për ligjet që krijojnë përfitime. Duhet ta dëgjojmë dhe ta gjykojmë”, tha Gjiknuri.
Deputetët nuk e lejuan zv.ministrin e Ekonomisë të prezantojë draftin dhe në fund të diskutimit, kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka pezulloi shqyrtimin e projektligjit për një seancë tjetër.
Projektligji “Paketa e Maleve” është një draftligj, pjesë e nismës “Shqipëria 1 euro” ku synohet zhvillimi i zonave malore nga investitorë strategjikë apo nga poseduesit e pronës. Zhvilluesit e projekteve në këto zona do të jenë të përjashtuar nga taksat për 10 vite nga nisja e projektit.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.