Bota

Smogu toksik pushton Pakistanin, mbyllen disa qytete

Nga Gazeta 'Si'-Smogu toksik në Pakistanin lindor ka sëmurë mijëra njerëz, duke detyruar autoritetet të mbyllin disa qytete për pjesën tjetër të javës. Në qytetin e dytë më të madh të vendit, Lahore, smogu është rritur në nivele të rrezikshme.

Disa banorë të Lahores u shprehën se atmosfera e dëmshme ka ndikuar rëndë shëndetin e tyre dhe aktivitetet e tjera të përditshme.

“Ndjehet sikur kjo atmosferë helmuese është bërë pjesë e jetës sonë,” tha shitësi Ameer Hamza, puna e të cilit kërkon që ai të jetë jashtë dhe me motor për pjesën më të madhe të ditës.

“Shkoj në pika të ndryshme për të tregtuar produkte dhe kur shkoj në shtëpi pas një dite të gjatë, sytë më skuqen dhe acarohen për shkak të ndotjes së ajrit. Dhe më pas më ndikohet puna për shkak se sëmurem shumë shpesh”, tha ai.

Sarah Zeeshan tha se vajza e saj një vjeç e gjysmë e ka pasur të vështirë të hajë dhe të pijë pasi smogu ka çuar në formimin e flluskave rreth gojës së saj.

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj smogut mund të çojë në dëmtim afatgjatë të shëndetit, duke përfshirë shkaktimin e kancerit të mushkërive.

Qeveria provinciale e Punjabit ka urdhëruar që shkollat, zyrat, qendrat tregtare dhe parqet në tre qytete, përfshirë Lahore, të mbyllen deri të dielën. Provinca Punjab e Pakistanit kufizohet me shtetin indian me të njëjtin emër.

Gjatë ditëve të fundit, Indeksi i Cilësisë së Ajrit në Lahore, i cili mat nivelin e grimcave të imta në ajër,  ka lëvizur rreth pikës 400.

Pakistani tha javën e kaluar se do ta ngrejë çështjen me autoritetet indiane në nivel diplomatik, raportuan mediat lokale, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Edhe India e Veriut po vuan gjithashtu nga ndikimi i smogut toksik. Ndotja e ajrit në kryeqytetin indian Delhi është rritur në nivele alarmante. Të martën, indeksi i cilësisë së ajrit për kryeqytetin indian arriti në 300 në 7 nëntor, gati duke arritur nivelet e rrezikshme 301-500.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë