Ne rrjet

Sllovakia, e para në Europë që teston të gjithë popullatën për Covid-19

Ndërkohë që një valë e dytë e pandemisë po përshkon Europën, një nga vendet më të vogla të kontinentit po përpiqet të ndërmarrë një mision të madh: ajo do të përpiqet të testojë çdo të rritur gjatë dy javëve të ardhshme.

Qeveria sllovake filloi të premten fushatën e testimit masiv në veri të vendit, i cili është goditur rëndë nga koronavirusi. Mijëra njerëz filluan të rreshtoheshin në shkolla, teatrot e qytetit dhe pishinat e mbyllura që janë shndërruar në qendra testimi nga ushtria.

Qeveria ka ndaluar banorët në veri të dalin ga shtëpitë e tyre, përveçse për t'u testuar. Sllovakia ka në plan të testojë çdo të rritur dhe fëmijë mbi 10 vjeç gjatë dy javëve të ardhshme, në përpjekje për të frenuar pandeminë. Ajo do të testojë 100,000 njerëz në ditë për disa javë rresht.

Zyrtarët thanë se synonin që çdo i rritur i vendit me 5.5 milion banorë të testohej dy herë para 8 nëntorit. Ata që refuzojnë të testohen do të qëndrojnë në shtëpi për 10 ditë, ose të përballen me gjobë deri në rreth 1,600 euro. Zyrtarët thanë se qendrat e testimit do të jenë të hapura në të gjithë vendin deri në fund të javës së ardhshme.

Sllovakia është vendi i parë perëndimor që provon testimin e gjithë popullatës. Shumë epidemiologë dhe shkencëtarë të mjekësisë në universitetet europiane kanë vlerësuar testimin masiv si një zgjidhje që mund t'u lejojë qeverive të izolojnë grupet e vogla të njerëzve të ekspozuar në vend që të imponojnë karantinimi e të gjithë vendit.

"Kjo është rruga më e mirë, nuk ka dyshim për këtë," tha Luke O'Neill, profesor në Shkollën e Biokimisë dhe Imunologjisë në Dublin. "Ky është një rast i mirë studimi. Nëse ai funksionon, do të jetë shembull për pjesën tjetër të botës. "

Në Europë, udhëheqësit janë përpjekur të shmangin zhytjen e ekonomive të tyre në një raund tjetër kufizimesh drakoniane. Në vend të kësaj, qeveritë kanë ngritur ekipe për gjurmimin e kontaktit për të izoluar vetëm të infektuarit dhe jo një zonë ose qytet të tërë.

Gjurmimi i kontakteve në Francë dhe Belgjikë ka dështuar pasi të të dya vendet po përjetojnë një rritje drastike të rasteve ditore. Fqinja e Sllovakisë, Republika Çeke, tani po vuan shkallën më të lartë të shtrimeve në spital në kontinent, sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Rreth 1% e banorëve të vendit është aktualisht e infektuar me Covid-19.

Numri i rasteve me koronavirus në Sllovaki është dyfishuar në dy javët e fundit, duke e detyruar vendin të vendosë kufizime të ngjashme. “Testimi masiv është mënyra më e mirë për të shmangur karantinën”, tha Kryeministri Igor Matoviç gazetarëve të enjten. "Më besoni, kjo është mënyra e vetme për të shmangur një bllokim total dhe dëmin e pashmangshëm ekonomik që do të pasojë", tha ai. Qeveria ka blerë miliona teste për t'u përgatitur.

Qeveria ka luftuar për të rekrutuar me shpejtësi mijëra punonjës të kujdesit shëndetësor dhe studentë të mjekësisë të cilët janë të nevojshëm për të kryer testimet.

Në qendrat e testimit, stafi u ankua se duhej të blinin vetë dezinfektuesin e tyre. Nuk ishte e qartë se si qeveria do të kontrollonte nëse njerëzit që qarkullonin në rrugë ishin testuar.

"Unë kam disa pyetje pa përgjigje se si njerëzit do të mbrohen nga infektimi ndërsa presin të testohen," u tha gazetarëve Peter Pellegrini, ish-kryeministër dhe anëtar i opozitës. "Unë mendoj se është një projekt që nuk është përgatitur mirë."

Testet nuk janë teste diagnostike PCR me cilësi më të lartë të cilat zbulojnë praninë e materialit gjenetik viral. Në vend të kësaj, qeveria po përdor teste më pak të sakta që analizojnë proteina specifike. Disa epidemiologë ngritën shqetësimin se shkalla relativisht e lartë e testeve të rreme negativëve do të bëjë që njerëzit e infektuar të vazhdojnë jetën e tyre shoqërore.

"Ata do të mendojnë se janë mirë dhe do të përhapin infeksionin më tej," tha Alexandra Brazinova, epidemiologe në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Bratislavës. " /Burimi: Wall Street Journal. Përktheu: Gazeta "Si"/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë