Futboll

Skuka shpëton Partizanin nga humbja ndaj Egnatias, ringjallet Teuta

Gazeta si – Partizanin vuan edhe me Orges Shehin në stol. Kampionët në fuqi nuk mundën të shfrytëzojnë as ndeshjen direkt me Egnatian për të shkurtuar diferencën dhe për të treguar se janë në gjendje ta mbrojnë titullin kampion.

Ka përfunduar 1-1 ndeshja në ‘Arena e Demave’. Partizani madje ka shpëtuar në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur Skuka shënoi golin e barazimit. Një rezultat që të paktën shmang turpin për të kuqtë.

Egnatia kaloi në avantazh me një gol nga distanca të Spahiut. Partizani shënoi një gol me Carën në pjesën e parë, por u anulua për një pozicion jashtë loje. Me shumë vuajtje skuadra kryeqytetase ia doli të barazojë në fund, me Skukën që çoi në rrjetë një top të pasuar nga Sota. Pas kësaj ndeshjeje, diferenca mes dy kryesuesve mbetet po 10 pikë në vafor të rrogozhinasve.

Ka fituar sot pas shumë javësh Teuta, që ka mundur 3-0 Skënderbeun në ‘Niko Dovana’. Durrsakët kanë marrë një treppikësh të çmuar në luftën e mbijetesës dhe për herë të parë kanë arritur të largohen nga vendi i fundit, duke kaluar Kukësin në tabelë.

Java e 22-të e Superiores do të mbyllet ditën e diel, kur Erzeni do të përballet me Dinamon në stadiumin e Rrogozhinës dhe Laçi do të presë Vllaninë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë