Sport

Skiatorja Lara Kolturi lë Italinë për Shqipërinë, merr pasaportën

Gazeta Si - Italiania Lara Kolturi do të garojë për Shqipërinë. Skiatorja 15-vjeçare është vazja e kampiones olimpike Daniela Çekareli, e cila do të jetë dhe trajnerja e saj te Shqipëria.

Konsiderohej një nga sportistet më premtuese në Itali. Tani është futur zyrtarisht në listën e federatës ndërkombëtare si sportiste e Shqipërisë. Skiatorja ka marrë edhe pasaportën shqiptare, të cilën ia ka dorëzuar ministri Bledi Çuçi.

Ministri Çuçi me familjen e skiatores. Gazeta Si, 26 maj 2022

Ndërrimi i ekipit kombëtar lejohet deri në moshën 16 vjeç. Lara Kolturi e mbush më 15 nëntor këtë moshë.
Shqipëria i ka ofruar kushte më të mira sportistes. Po ashtu, edhe ata që e ndjekin atë do të kenë dorë të lirë në shumë aspekte, teknike dhe komerciale.

“Gazzetta dello Sport” bën me dije se për këtë hipotezë është folur prej kohësh. Në një moment u mendua se çështja do të zgjidhej, por jo. Lara Kolturi është e Shqipërisë.

Pas pak muajsh ajo do të hyjë në skitë për të rritur, por jo për Italinë. Përtej Adriatikut e quajnë një humbje, sepse bëhet fjalë për një talent absolut.

Nëse Lara Kolturi vendos të ndërrojë kombëtare, të kthehet tek Italia, do të humbë të gjitha pikat. Në këtë rast ajo duhet ta nisë nga e para rrugëtimin e saj.

Lara Kolturi, 15 vjeç. Gazeta Si, 26 maj 2022

Skiatorja është rritur në “Ceccarelli Golden Team”. Një shkollë që administrohet nga prindërit e saj. Është stërvitur me programe specifike të nivelit të lartë. Ka fituar në disa kampionate për të rinj në Itali.

Shqipëria vazhdon kështu me natyralizimin e sportistëve të huaj në kuqezinj. Më parë ka ndodhur me gjimnastin rus Matvepi Petrov, i cili mori pjesë edhe në Lojërat Olimpike të Tokios. Po kështu, edhe dy mundës azerë garojnë për Shqipërinë.

Rasti i skiatores 15vjeçare Lara Kolturi duket ndryshe në fakt. Në Itali kanë filluar që tani ta ‘qajnë’…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë