Art dhe Kulture

Skënderbeu në Prizren do ripunohet, gati edhe projekti i muranës nën Kala

Statuja e Skënderbeut, e vendosur më 28 Nëntor në Prizren e që ka ngjallur mjaft kritika për cilësinë artistike dhe pamore të saj do të hiqet dhe do të ripunohet.

Vendimi nuk është ende zyrtar nga Komuna e Prizrenit, por gazeta “Si” mëson nga burime të sigurta se zhvendosja e statujës dhe ripërpunimi i saj është çështje ditësh.

Të njëjta burime thonë se veç kësaj, po në të njëjtin qytet është hedhur për konsultim edhe një projekt i financuar privatisht për ndërtimin e një busti të Skënderbeut, të ngjashëm me atë të ndërtuar në Labinot të Elbasanit.

Murana e Skënderbeut në Labinot të Elbasanit

Murania është ide e skulptorit Fiqiri Kasa dhe po ai do ta realizojë. Kasa është i njëjti autor i skulpturës së realizuar në Elbasan. Ideja është hedhur për qarkullim nga shoqata “Trojet e Arbrit” dhe investitori Nue Oroshi. Ky i fundit ka financuar edhe shtatoren e Skënderbeut të vendosur së fundmi në Prizren.

Shoqata ka hedhur për debat publik projektin për ndërtimin e një murane të Gjergj Kastriotit në pjesën shkëmbore nën Kalanë e Prizrenit. Projekti synon që të realizohet brenda vitit 2021 dhe do të ketë një lartësi rreth 11 metra, më i madh se busti i ndërtuar në Elbasan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë