Lajme

Skenar ndaj LSI? Kryemadhi: Tani prisni arrestime dhe eksplozivë!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka deklaruar sot se është gati të presë “të gjitha të këqijat” nga regjimi i kryeministrit Rama pas vendimit për dorëzimin e mandateve parlamentare.

Në takimin me Komitetin Drejtues Kombëtar, Kryemadhi paralajmëroi deputetët e saj të jenë të përgatitur për çdo skenar dhune apo presioni nga ana e Rilindjes.

"Mandatet janë të atyre qytetarëve të cilët besojnë tek vlerat e demokracisë. Mandatet e LSI-së nuk mund të bëheshin kurrë pjesë e atyre deputetëve që kanë mandate të blera me paratë e drogës. Tashmë llumi që përdori Rama për të blerë mandatet do ti kthehet mbrapsht, - u shpreh Kryemadhi. – Djegia e mandateve tregoi se për ne ka më shumë rëndësi besimi i qytetarëve. Integriteti i LSI-së është më i pastër se asnjë herë tjetër. Përkrahja e deputetëve të tjerë ishte një vlerësim për mua. Jemi të përgatitur për çdo skenar të Rilindjes. Dikujt do t'i trokasë policia në derë. Dikujt do t'i hiqet gruaja nga puna. Dikujt do t'i vendosin eksplozivë në dyert e tyre. Deri dje është hequr si viktimë por sot çdokush e di se Edi Rama është xhelati i shqiptarëve”.

Ajo u shpreh para deputetëve, anëtarëve dhe simpatizantëve se që këtej e tutje, LSI është e barabartë me popullin. Sipas saj, kjo është çështje morali.

“Nga dita e nesërme të gjithë kryetarët e partive në bashki do jenë të organizuar për të vazhduar protestën lineare në çdo qytet të Shqipërisë. Shqiptarët dolën dje në shesh sepse janë të papunë. Djegia e mandateve i ka dhënë shpresë shqiptarëve se ky vend do të bëhet. Do ndajmë politikën nga krimi i organizuar", deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi iu rikthye edhe një herë protestës së 16 shkurtit. "E patë përdorimin e lëndëve helmuese dhe luftarake që u përdor kundër popullit në masë. Kjo tregon edhe shpirtin katran siç ka edhe fytyrën të Edi Ramës kundër popullit të tij. Më pas çdo negociatë me këtë njeri nuk ka as fitues dhe as humbës, por ka vetëm një gjë: Dorëzim pa kushte te i keqi dhe djalli. Nuk do ta lëmë kurrë LSI dhe gjithë Shqipërinë në duart e një njeriu që merr peng të ardhmen e shqiptarëve, identitetin dhe integritetin e shqiptarëve. Mbledhja e sotme është vetëm fillimi i aksionit opozitar".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë