Të tjera telashe për Ajaksin, pas çështjes “Haller”, blerjes më të shtrenjtë që nuk u federua gabimisht për Ligën e Europës. Komisioni i Disiplinës në UEFA ka pezulluar për 12 muaj portierin Andre Onana, pasi ka thyer rregullat anti-doping. Gjatë një kontrolli të befasishëm më 30 tetor të vitit të kaluar, është konstatuar prezenca e një substance të ndaluar (furosemid) në testin e urinës.
Pezullimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe vlen për të gjitha aktivitetet futbollistike, kombëtare dhe ndërkombëtare. Mëngjesin e 30 tetorit Onana nuk ishte ndjerë mirë dhe kishte marrë një ilaç për t’u qetësuar. Në mënyrë të pavetëdijshme, portieri kishte përdorur “Lasimac”, një ilaç që e kishtë marrë më parë bashkëshortja e tij.
Organi disiplinor i UEFA-s ka deklaruar se qëllimi i Onanës nuk ishte për rritjen e formës sportive, megjithatë në normat anti-doping është e qartë se një sportist ka për detyrë të garantojë në çdo moment se asnjë substancë e ndaluar nuk duhet të hyjë në trupin e tij.
Onana dhe Ajaksi do të apelojnë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Administratori i klubit holandez, Edvin van der Sar, ka thënë: “Jemi totalisht kundër substancave që përdoren për të përmirësuar formën sportive, jemi për një sport të pastër. Është një goditje e madhe për Onanën dhe për klubin. Andre është një portier i nivelit të lartë, ka treguar vlera me Ajaksin për vite me radhë. Shpresonim për një pezullim më të shkurtër, sepse veprimi i tij nuk kishte qëllim të forconte trupin dhe përmirësonte paraqitjen sportive".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.