Ka ndodhur

Skandali te “Sanatoriumi”, lirohen edhe dy infermiere. Vetëm Tirja në burg

Gjykata e Apelit ka liruar nga qelia dy infermieret e tjera të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Dy infermieret, Sheqerije Koçi dhe Mira Bushi janë njohur sot me masën e re, e cila do të jetë detyrim paraqitjeje.

Punonjëset e “Sanatoriumit”, u arrestuan disa ditë më parë si pjesë e skandalit që u bë publik në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Ato u akuzuan si bashkëpunëtore të sanitares Tire Alldervishi, për krijimin  e një skeme të mirëfilltë me qëllimin e vetëm kriminal, duke përfituar  ndaj pacientëve të sëmurë me  Covid-19 dhe familjarëve të tyre.

Tri javë më parë, gjykata liroi infermieren  Sidorela Çela dhe sanitaren Rukie Hoxha, të dyshuara si bashkëpunëtore të Tire Alldervishit.

Më 10 shkurt, gjykata caktoi ndaj 4 të dyshuarave masën e sigurisë 45 ditë burg, ndërsa si provë, akuza solli në gjykatë edhe fshirjen e të gjitha bisedave në celular mes të ndaluarave dhe Tire Alldervishit.

Ndërkohë ato janë pezulluar nga detyra si pjesë e spitalit “Shefqet Ndroqi” deri në përfundim të hetimit penal nisur nga prokuroria e Tiranës, për akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Tire Alldervishi, e cila u hoq si infermiere, u arrestua pas publikimit të pamjeve që tregonin se ajo kishte marrë 8 milionë lekë të vjetra nga vajza e një pacienteje me Covid që më pas ndërroi jetë për shkak të kësaj sëmundje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë