Lajme

Skandali, qindra kriminelë shqiptarë u pajisën me nënshtetësi britanike

Një grua nga Shqipëria është arrestuar në Londer nën dyshimin se ka ndihmuar grupe kriminale shqiptare që të pajisen me 500 pasaporta nga Mbretëria e Bashkuar.

Arrestimi i saj është bërë nga Agjencia Kombëtare e Krimit në kuadër të një operacioni që synonte identifikimin e një rrjeti kriminal që lehtësonte dhënien e shtetësisë dhe pasaportave britanike, si dhe pastrimin e parave për kriminelët.

Emri i gruas nuk bëhet i ditur, me përjashtim të vendbanimit të saj, që sipas mediave britanike është në Ilford, në lindje të Londrës.

Sipas policisë britanike, dyshohet se ky rrjet i ka ofruar shërbime kriminelëve, përfshirë trafikantëve të njerëzve dhe drogës, apo edhe rrëmbyesve.

37-vjeçarja është arrestuar një ditë më parë me akuzën e mashtrimit dhe dyshohet se kishte ngritur një biznes me identitet fals, duke ndihmuar me pajisjen me pasaporta të qindra personave.

Megjithatë, Agjencia Kombëtare e Krimit, bën me dije se ajo është e lënë lirë sot, teksa hetimet për përfshirjen e saj po vijojnë.

“Ne besojmë se ky rrjet i ka ofruar kriminelëve një mënyrë për të marrë pasaporta në Mbretërinë e Bashkuar, duke u dhënë atyre mjetet për të kryer krime të rënda dhe për të lëvizur nën radarin e zbatimit të ligjit”, u shpreh Andrea Wilson, kreu rajonal i Agjencisë Kombëtare të Krimit.

Nëntë vetë u arrestuan për shkelje të emigracionit, ndërsa gjashtë biznese janë referuar për masa ndëshkimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë