Futboll

Skandali/ Punëtorët e agjensisë funerale, selfie pranë trupit të Maradonës

Indinjatë e thellë në Argjentinë pas një gjesti makabër. Mes dhimbjes dhe trishtimit që shkaktoi vdekja e papritur e Diego Armando Maradonës, ka edhe nga ata që kanë menduar për të bërë një selfie pranë trupit të tij të pajetë, për ta shpërndarë më pas në rrjetet sociale.

Fotot që askush nuk i mendonte kanë bërë xhiron e botës, duke shkaktuar reagime të ashpra, ndërkohë që kanë nisur menjëherë kërkimet për përgjegjësit e këtij gjesti të shëmtuar. Ata janë identifikuar, janë tre punëtorë të agjensisë së funeraleve “Pinier”, që është kujdesur për organizimin e ceremonisë mortore në “Casa Rosada”.

Fotot janë shkrepur gjatë transportit të trupit të Maradonës nga vila e tij në Tigre, ku edhe ndërroi jetë, deri në pallatin presidencial. Sipas shtypit argjentinas, agjensia funerale “Pinier” ka pushuar nga puna njërin nga punëtorët dhe pritet të bëjë të njëjtën gjë edhe me dy punëtorët e tjerë që janë përfshirë në këtë çështje.

Gjesti i këtyre tre personave, sipas të gjitha gjasave, do të ketë edhe pasoja ligjore. Avokati i Maradonës, Matias Morla, ka apeluar me një postim në rrjetet sociale për ndalimin e tre personave dhe për nxjerrjen e tyre para drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë