Rend dhe Ligj

Skandali polici-prokurori, lanë të ikte të kërkuarin për trafik droge në Kukës

Policia dhe Prokuroria e Kukësit janë përfshirë së bashku në një skandal që dyshohet se ka hije korrupsioni dhe shpërdorimi të detyrës. Në mënyrë të paprededentë, gjykata është shmangur nga kjo skemë dhe ka dyshime se policia e Kukësit në bashkëpunim me Prokurorinë kanë liruar një të kërkuar nga Krimet e Rënda në Tiranë. Të dy institucionet janë bërë bashkë pas “problemeve” që u ka hapur një punonjësi i policisë kufitare, polici e cila ështe e pavarur nga policia e rretheve. Historia duket se përsëritet, por kësaj radhe jo si për Domart Konjarin që u lirua nga lojërat e gjykatës. Gazeta “Si” disponon dosjen e plotë të skandalit të radhës, por për shkak se çështja është objekt hetimi dhe kontrollesh edhe nga SHÇBBA, po ruan sekretin hetimor. Por po ju sjellim fotografinë që autoritet shqiptare posedojnë.

Urdhëri për lirimin e menjëhershëm të Naser Gashi

Emri i të kërkuarit dhe të dënuar në mungesë për trafik droge është Naser Gashi, i moshës 58 vjeç. Ai është kapur në orën 20.30 të datës 17 tetor , në pikën kufitare të Morinit me identitet fals me të dhënat si Saimir Bula. Për shkak të dyshimeve në dokumentat e paraqitura, oficeri i policisë kufitare ka njoftuar policinë e Kukësit  duke ia dorëzuar kësaj policie për t’i verifikuar pasaportën dhe për t’i marrë gjurmët e gishtave. Pikërisht ashtu siç dyshoi kontrollori kufitar, gjatë skanimit të gjurmëve të gishtave është zbuluar identiteti i vërtetë i të dyshuarit që pretendonte se ishte nga Mitrovica dhe se ishte 29 vjeç. Në fakt ai ishte Naser Adem Gashi, i datëlindjes 20 nëntor 1960, pra 58 vjeç. Dhe ishte i dënuar e njëkohësisht i kërkuar.

Skandali

Naser Gashi vazhdon të jetë në kartelën e kuqe si një person i kërkuar nga Krimet e Rënda, pas dënimit që ka marrë formë të prerë pesë vite më parë. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar Gashin me 7 vjet e katër muaj burgim për trafik droge në bashkëpunim. Por edhe pse nga kontrolli i shenjave të gishtave dhe këqyrja e sistemit TIMS policia e Kukësit ka qenë fare e qartë sipas provave se kush ishte Gashi, referimi për të është bërë vetëm për një vepër, atë të falsifikimit të dokumentave. Pas kësaj këto të dhëna janë referuar pranë Prokurorisë së Kukësit, e cila në kohë rekord ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm, të të shumë kërkuarit duke mos dhënë asnjë shpjegim. Pavarësisht se në dosje policia pranon që Saimir Bula është Naser Gashi dhe se ky i fundit kërkohej, informacioni nuk është referuar në kryeqytet, por përkundrazi në efektivitet të plotë dhe për t’u pasur zili, zyrtarët e policisë së Kukësit pas urdhërit të prokurorit kanë vendosur menjëherë lirimin. Siç thotë një burim pranë SHÇBA, sapo 68-vjeçari ka rezultuar në sistemin TIMS i kërkuar, policia e Kukësit duhet ta dërgonte  në ambjentet e paraburgimit derisa ai t’i dorëzohej policisë së Tiranës. Ka dyshime se për këtë aferë janë paguar 20 mijë euro që i kërkuari i Krimeve të Rënda të largohej i qetë drejt Kosovës, një udhëtim i cili u ndërpre për pak orë nga autoritetet shqiptare. Ndërkohë që Prokuroria nuk jep asnjë koment përveç faktit që policia e kishte arrestuar ne shkelje të ligjit këtë shtetas dhe se e kishte referuar për vlerësim me identitetin fals dhe jo me idenditetin që kërkohej

Skandali Domart Konjari

Tre vite më parë Domart Konjari u arrestua në pikën kufitare të Korcës me identitetin e rremë, Arben Lazri. Edhe ai kërkohej nga Krimet e Rënda për trafik droge për llogari të autoriteteve franceze e për këtë dosja u transferua nga Korça drejt Tiranës.

Domart Konjari

Edhe pse Konjari ka një CV të pasur me trafik droge në Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani atij iu ndryshua masa nga Krimet e Rënda në pritje të letër-porosive. Ishte ky momenti i artë që u shfytëzua prej tij dhe pas të cilit ai u arratis i qetë. Ky ndryshim mase solli një nga përplasjet mes Francës dhe Shqipërisë, ku nga njëra anë ambasadori francez pati nota kritike dhe nga ana tjetër edhe ish-Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani kërkoi falje për gjyqtarët që kishin shpallur këtë vendim.

*Shkrim i botuar në 4 nëntor 2018 nga Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë