Lajme

Skandali/ Nxënësit në Kosovë përshëndetje ushtarake për Turqinë, shkarkohet mësuesi

Fotoja e një mësuesi me nxënës të mitur që mbanin një flamur turk duke përshëndetur ushtarakisht ka tronditur Kosovën. Sipas mësuesit ata festonin fitoren e skuadrës turke të futbollit kundër Shqipërisë.

Ministria e Arsimit të Kosovës njoftoi sot se po heton incidentin në një shkollë fillore në Prizren pasi fotografisë u bë virale në Kosovë. Sipas raporteve, mësuesi Selver Shantiri, i cili është pushuar tanimë nga puna, u kishte kërkuar nxënësve të pozonin me flamurin turk edhe në mbështetje të operacionit ushtarak turk në Siri.

Shantiri mohoi këto pretendime duke thënë so fotoja u realizua si një përshëndetje nga futbollistët turq pasi ekipi i tyre kombëtar shënoi një gol kundër Shqipërisë në ndeshjen kualifikuese të Euro 2020 në fillim të këtij muaji. Prizreni është shtëpia e një komuniteti të fortë turk.

"Pasi i lajmërova për kualifikimin e kombëtares së Turqisë, nxënësit më kërkuan që të bëja të njëjtin gjest siç bënë lojtarët kur fituan ndeshjen e tyre kundër Shqipërisë," tha Shantir.

Por përshëndetja e ekipit turk ishte një përshëndetje për trupat e vendit të tyre që luftonin në Siri, dhe organi drejtues evropian i futbollit UEFA ka thënë se do ta hetojë atë sepse gjestet politike nuk lejohen në fushë.

Shantir insistoi që ai nuk kishte ndërmend të shkaktonte asnjë skandal me këtë fotografi, e cila raportohet se është realizuar më 13 tetor.

Ndërkohë Ministria e Arsimit tha se inspektorët e saj do të mbledhin informacione rreth incidentit.

Presidentët Recep Tayyip Erdogan dhe Hashim Thaçi

"Shkollat nuk janë hapësira për aplikimin e ndonjë ideologjie dhe abuzimi me fëmijët është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe ligjet e Kosovës," tha ministria në një deklaratë të shkruar. Por kjo ngjarje ka ardhur edhe si një këmbanë alarmi për ndikimin e Turqisë në Kosovë.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Turqia zë vendin e parë sa i takon investimeve në Kosovë me mbi 290 milionë euro.

Po ashtu ka edhe mbi 500 projekte të tjera të realizuara që prej pasluftës e deri më sot, dhe një pjesë e tyre po vazhdojnë të realizohen. Në mesin e projekteve janë edhe një sërë xhamish të rindërtuara apo edhe të ndërtuara nga fillimi.

Që prej vitit 2004 në Kosovë vepron edhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), e cila realizuar qindra projekte të ndryshme.
“Investimet janë bërë në arsim në shëndetësi, në mbrojtjen e monumenteve kulturore, në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, pra në zhvillimin e trajnimeve të ndryshme dhe institucioneve”, thotë Blerim Karabaxhaku, zyrtar i kësaj agjencie.

Nga ana tjetër, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan njihet për marrëdhëniet e mira me presidentin Hashim Thaci dhe figurat e tjera politike në Kosovë. Nëpërmjet një operacioni sekret, Turqia arriti te ekstradonte nga Kosova gjashtë turq të akuzuar për lidhje me Fetullah Gulen.

Më 29 mars të vitit 2018, Policia e Kosovës arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, pa dijeninë e qeverisë së vendit. Ndërsa familjet e të deportuarve dhe organizatat e të drejtave të njeriut ende janë shumë të zemëruar, incidenti duket se është falur nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ai ishte një nga pak udhëheqësit europianë që morën pjesë në ceremoninë ebetimit presidencial të Erdoganit në Ankara më 9 korrik.

Pak njerëz në Kosovë pritën që Thaçi të shprehte ndonjë shqetësim të vërtetë ndaj Erdoganit – duke supozuar se ky i fundit do kishte pak kohë për të takuar Presidentin e Kosovës gjatë ceremonisë – edhe pse një skandal i tillë, në rrethana normale, me siguri do të kishte acaruar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Por pas këtij skandali, Agjencia “Tika” ka sponsorizuar edhe ndërtimin e disa shkollave në disa komuna të Kosovës. Prania turke në Kosovën përveç në fushën e arsimit dhe të fesë, përmes projekteve, është shtrirë edhe përmes investimeve të drejtpërdrejta. Në bazë të vlerësimeve të përgjithshme, kompanitë turke kanë marrë një pjesë të tenderëve fillimisht në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës dhe më vonë edhe në Kompaninë Energjetike të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë