Politike

Skandali me firmën te Unaza, Kryemadhi: Prokuroria të hetojë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i bëri thirrje prokurorisë që të nisë hetimet për projektin e Unazës së Madhe. Duke iu referuar dokumenteve të publikuara në emisionin “Të paekspozuarit” në News 24 për kompaninë që ka fituar tenderin që ka falsifikuar firmën e sekretarit amerikan të shtetit, Kryemadhi tha se janë provat e mjaftueshme për prokurorinë.
“Kjo është qeveria që bën qeverinë më të mundshme raciste që kemi parë ndonjëherë në këto 27 vjet. Tenderi i “Unazës së Re” i cili dje u faktua nga një emision, ku kishte të falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregon edhe njëherë që ka kaluar çdo shkallë dhe çdo normë morale dhe ligjore të kësaj qeverie. Tenderi i “Unazës së Re”, jo vetëm që është një vepër korruptive, por është një ndasi sociale që përbën diskriminim ndaj qytetarëve. Prokuroria e ka veprën penale tashmë dhe nuk ka më se çfarë pret, për të filluar hetimin e kësaj vepre korruptive, por jo vetëm korruptive, por edhe diskriminuese dhe raciste dhe të shkeljes së ligjit, e cila është bërë haptas ditën me diell. Tashmë, Prokuroria ka përpara korrupsionin e tenderit, ka përpara dokumente të falsifikuara, ka përpara korrupsion në projektim, ka përpara falsifikim dokumentesh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj nuk mbetet gjë tjetër që të tregojë angazhimin e saj, për të treguar edhe njëherë që ne kemi bërë Reformë në Drejtësi”, deklaroi Kryemadhi.
Sipas saj, shpërblimi i drejtë sipas ligjit është më e pakta që mund të bëjë qeveria shqiptare. “Nuk kemi parë e dëgjuar që një projekt për 2.3 km rrugë kushton 48 mln euro dhe ka zero dëmshpërblim për banorët. Prokuroria të nisë procedim penal ndaj të gjithë hartuesve të këtij projekti famëkeq. Iu bëj thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë zullum të kthejnë sytë nga qytetarët. Ajo qëndresë për më shumë se 1 muaj e atyre banorëve është një mësim i mirë për politikën, për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e qeverisjes sepse ky vend nuk mund të drejtohet më me interesa të vogla, por në shërbim të qytetarëve. Sot më shumë se kurrë të gjithë ne pa dallim bindjesh, krahine e ideje duhet të jemi kompakt për të ndaluar këtë diskriminim”, tha Kryemadhi.
Për numrin një të LSI-së, nuk mundet më kjo qeveri, e cila me arrogancën e saj, e cila me të gjithë fuqinë e saj e harxhon për propagandë, e harxhon për të intimiduar dhe për të kërcënuar njerëzit, nuk mund ta vazhdojë dot më gjatë. “Prandaj, i bëj thirrje Prokurorisë shqiptare dhe njëherë që të fillojë hetimin dhe të ndalojë projektin famëkeq, përçarës, diskriminues, grabitës të pronave të banorëve të unazës së Re dhe të gjithë banorëve të tjerë, të cilët kanë qenë viktima të këtyre”, deklaroi kryetarja e LSI-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë