Lajme

Skandali i punësimeve në Burgje, opozita akuzon Ramën

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë reaguar pas publikimit të përgjimeve nga Zëri i Amerikës, në lidhje me skandalin e emërimeve nëpër burgje.

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, tha se lajmi fakton një skandal me përmasa shtetërore dhe është pjesa tjetër e Dosjes 339.

Sipas Salianjit, publikimi I një pjese tjetër të Dosjes 339, fakton një skandal të përmasave shtetërore, “ku Kryeministri ndërhyn drejtpërdrejt për prishjen e konkurseve të administratës publike, ku Rama në mënyrë kriminale ndërhyn nga zyrat e tij për të larguar më të aftët dhe për të punësuar militantët partiakë apo njerëzit e kriminalizuar, - deklaron Salianji. - Sot, një shtet serioz dhe një prokurori normale që e disponon prej muajsh këtë dosje do të kishte marrë të pandehur Edi Ramën për abuzim me detyrën dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Sot shefja e tij e kabinetit, Vali Bizhga, deputete e Ramës, Blerina Gjylameti, Ulsi Manja dhe një sërë deputetësh dhe zyrtarësh duhet të ishin në burg!”.

Salianji thotë se emërimet në administratë nuk bëhen me konkurs, por dalin nga zyra e kryeministrit.

“Kjo është e njëjta dosje, ku Vangjush Dako bashkëpunon me krimin e organizuar për blerjen e votave për llogari të pushtetit të Edi Ramës në zgjedhjet e vitit 2017, - vijon ai. - Tani nuk ka më asnjë dyshim se është Edi Rama ai që po bllokon hetimin e dosjes 339. Qëllimi i kryeministrit nuk është të mbrojë vetëm Vangjush Dakon, por të mbrojë veten e tij nga arrestimi i pashmangshëm, që do të vinte nga hetimi i pavarur i dosjes 339.

Salianji thekson se Rama ka ngritur një shtet mafioz, ku gara në zgjedhje, gara për vendet e punës, gara për tenderat janë fasadë e një pushteti të korruptuar dhe të inkriminuar.

“Me zbulimin e provave të reja nga dosja 339 është e qartë se në Shqipëri nuk funksionon shteti demokratik, sepse Edi Rama paracakton gjithçka: rezultatin e zgjedhjeve, punësimet në administratë dhe oligarkët me të cilët ndan miliona euro nga taksat e shqiptarëve. Sot Shqipëria ka vetëm një zgjidhje, largimin e Edi Ramës!”.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjës të vetëm, duke u kujdesur sipas tij, të emërojë në administratë vetëm militantë.

”Rama është përgjegjësi i vetëm. Siç doli në përgjime, Zyra e Kryeministrit është ajo që merret drejtëpërdrejtë me punësimet deri tek ato më banalet, duke krijuar një kontroll të vërtetë policor që mundëson punësime vetëm për ata që janë militantë të PS, - nënvizon Vasili.. - Asnjë qytetar tjetër të mos ketë iluzionin se në administratën e Edi Ramës mund të ketë qytetarë të thjeshtë. Pamë sesi që nga kreu i Komisionit të Ligjeve, korifeu i reformës në drejtësi, ishte një nga ata që merrej me vende pune. Është e qartë se Edi Rama është një demagog, një mashtrues ordiner”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë