Nga Gazeta ‘Si’-Tirana do duhet të bëjë pa mbrojtësin Qëndrim Ismajli.
Futbollisti i afruar gjatë merkatos së verës tek bardheblutë nuk ka mundur që të udhëtojë drejt Gjerogjisë për ndeshjen e parë që kryeqytetasit kanë me Torpedo Kutaisi. Gjerogjia nuk e njeh Kosovën dhe duke qenë se Ismajli ka vetëm pasaportë kosovare, nuk është lejuar të udhëtojë drejt shtetit gjeorgjian.
Një problematikë e hasur edhe vitin e shkuar me Hasanin, sulmuesin me origjinë nga Kosova që lunate me bardheblutë, në ndeshjen që ata patën sërish në Batumi, kundër Dinamos, por nëse atëherë u mbyll një sy, nisur nga eliminimi që i bëri Tirana Dinamos së Bastumit, këtë herë me sa duket gjeorgjianët kanë vendosur ta “dëmtojnë” kështu skuadrën kundërshtare.
Dokumentacioni i paraqitur për lojtarin nuk ka qenë i mjaftueshëm që të kalonte për të udhëtuar me skuadrën e në të tilla rrethana, trajneri Bledi Shkëmbi do të ketë një lojtarë më pak për ndeshjen e parë me Torpedo Kutaisi.
Kjo nuk është hera e parë që skuadrat shqiptare përballen me probleme të tilla, ku lojtarëve nga Kosova ose vendet e huaja nuk lejohen të udhëtojnë në shtete të ndryshme.
Tirana e luan të enjten ndeshjen e saj të parë në Conference League në orën 19:00 në Kutaisi, ndërsa sfida e kthimit do të luhet pas një jave, por mbetet për t’u caktuar se ku do të zhvillohet pasi Air Albania ka fushën e dëmtuar, ndërsa Selman Stërmasi është prej kohësh jo funksional.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.