Politike

S’ka negociata, në Bullgari bie qeveria e mbetet vetoja

Sipas një postimi rreth mesditës së të mërkurës të Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi, partia GERB e ish-kryeministrit bullgar, Boyko Borissov do të mbështeste propozimin e qeverisë së Kiril Petkovit për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut dhe pranimin e propozimit me pesë pika të Francës për negociatat e Shkupit me BE.

Por, ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta. Borissov rrëzoi Qeverinë e Petkov përmes një mocioni mosbesimi, mocioni i parë i sukesshëm në historinë moderne të qeverisjes në Bullgari. Pas këtij votimi, Qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim, as të çojë propozim në Parlament për të hequr veton ndaj Shkupit për çështjen e negociatave.

Nga këto zhvillime në Sofje e pësojnë si Maqedonia e Veriut, ashtu edhe Shqipëria, që përkundër optimizmit që shoqëroi deklaratën e Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi tashmë duhet të përballen edhe njëherë tjetër me zhgënjimin e refuzimit të caktimit të një date.

Pas votës në Parlament, Presidenti bullgar, Romen Radev duhet të nisë konsultimeve me partitë në parlament. Mandati për të formuar qeverinë e re i kalon sërish partisë së Kiril Petkov “Vazhdojmë Ndryshimin”, që duhet të formojë shumicën e re brenda shtatë ditëve.

Nëse Petkov dështon në formimin e mazhorancës brenda javës, atëherë mandati i kalon partisë së dytë më të madhe në Kuvend, që është partia GERB e ish-Kryeministrit Boyko Borissov. Procedura përsëritet me radhë deri kur shterohen të gjitha mundësitë.

Pas kësaj, emërohet një qeveri kujdestare që do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet e reja. Nisur nga këto zhvillime, parashikohet që zgjedhjet e reja të parakohshme të mbahen në muajt shtator, ose tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë