Udhëheqësit e Bashkimit Europian u mblodhën të dielën në Bruksel në një minisamit që i paraprin atij të 28 qershorit, si një përpjekje për të afruar qëndrimet dhe ndasitë e thella që kanë për çështjen e emigrantëve dhe azilkërkuesve.
Disa prej udhëheqësve folën për një progres modest në disa çështje, përfshirë këtu në planin për të ngritur kampe refugjatësh, që mbështetet edhe nga Spanja e Franca, ndërsa Italia kërkon përforcimin e sistemit të mbrojtjes kufitare dhe kthimin mbrapsht të anijeve me refugjatë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron foli për një konsensus formal përsa i takon nevojës për ngritjen e një bashkëpunimi më të ngushtë mes Bashkimit Europian dhe vendeve joanëtare të BE-së që përdoren nga refugjatët si tranzit, mes të cilave ndodhet edhe Shqipëria.
“Duhet të përmirësojmë mekanizmin e filtrimit të emigracionit në Europë, për të patur një qasje pragmatike, efikase dhe të luftojmë të gjitha format e emigrimit ilegal, por pa shkelur mbi parimet tona”, tha ai.
Fillimisht Danimarka dhe më pas Austria thonë se një mënyrë për ta realizuar këtë pa shkelur parimet e unionit është ngritja e kampeve të refugjatëve në vendet joanëtare. Kryeministri danez, Rassmusen dhe Kancelari austriak, Sebastian Kurz thonë se vendi ideal do të ishte një vend joanëtar, por afër me BE-në, ku refugjatëve do t’u garantoheshin liritë dhe të drejtat themelore të tyre.
Mes vendeve të mundshme është përmendur edhe Shqipëria. Por, Kryeministri Edi Rama e mohon këtë dhe rezultatet e minisamitit të së dielës thotë se provojnë që lajmi për ngritjen e këtyre kampeve në Shqipëri ishte krejtësisht i rremë.
“Dje Samiti i BE për krizën e refugjatëve shpoi tullumbacen gjigande të Lajmit të Rremë për Kampin në Shqipëri!Ky lajm i prodhuar dhe propaganduar nga esadistët e rinj të Shqipërisë në politikë e media,s’ka asnjë lidhje me planet e BE për refugjatët. Mos t’ua harrojmë këtë turp”, shkruan ai këtë të hënë në rrjetet sociale.

Për analitët dhe ekspertët e emigracionit, ndasitë mes udhëheqësve të BE-së në këtë moment janë shumë të thella për të patur një marrëveshje për refugjatët së shpejti.
“Mendoj se në këtë moment me rëndësi është ngritja e një shtegu për të gjetur rrugën e një kompromisi në të ardhmen. Sot, ndasitë janë shumë të thella dhe nuk mendoj se mund të arrihet një marrëveshje për emigracionin brenda pak ditësh”, thotë Marie de Somer, eksperte e emigracionit në Qendrën Europiane të Politikave.
Takimi i udhëheqësve të BE-së mbërriti si urgjencë pas mbylljes së porteve nga Italia, duke lënë me mijëra refugjatë të bllokuar nëpër anije në Mesdhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.