Politike

S’ka datë për protesta / Berisha: Jam vënë nën akuzë nga një gjykatëse e lidhur me Ramën

Në një komunikim online me ndjekësit e tij, Sali Berisha tha se ai është vënë nën sanksione “nga një gjykatëse e lidhur direkt me Edi Ramën pa autorizimin e parlamentit”

‘Siç jeni informuar, në një akt të paprecedent në ndonjë vend tjetër, kryetari i opozitës vihet nën sanksione nga gjykatëse e lidhur direkt me Edi Ramën dhe skapistë të kontrolluar plotësisht prej tij, si në asnjë vend tjetër dhe si kurrë ndonjëherë në Shqipëri, vihet në sanksione pa autorizimin e parlamentit.

Ndaj tij, gjykatësja e lidhur direkt me Edi Ramën, skapistët e kontrolluar plotësisht prej tij, vendosin masën e paraqitjes dy herë në javë, vendosin kufizimin e lëvizjes duke i marrë pasaportën.

Këto veprime janë në kundërshtim flagrant me disa nene të Kushtetutës, por më specifik me nenin 73, pika dy, në të cilin sanksionohet se deputeti nuk mund të arrestohet, nuk mund t’i kufizohet në asnjë lloj formë liria e tij, nuk mund të kontrollohet pa autorizimin e parlamentit.

Mbi bazën e këtij neni të mbartur që në fillimet e pluralizmit, gjer sot asnjë deputet nuk ka pasur sanksione nga prokurorë apo gjykatës pa autorizimin e parlamentit”, tha ai.

Sipas tij, procesi per privatizimin e klubit ‘Partizani’ është më legjitimi që mund të jetë kryer ndonjëherë.

“Në 3 vjet hetime, prokurorët politikë të Edi Ramës, pas tre vjet hetimesh intensive, nuk arritën të gjenin asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument që të ndërtojnë akuzë penale kundër meje, dhëndrit tim, profesor Jamarabër Malltezit, apo ndonjë tjetri”, tha ai.

Ndërkohë një ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, gjatë debateve me dyer të mbyllura  Berisha përsëriti qëndrimin se me nisjen e aksionit opozitar që parashikon dhe protesta, nuk do të ketë kthim pas deri në rrëzimin e Edi Ramës.

Sipas Berishës,” opozita do të përballet me shumë sakrifica gjatë rrugës së saj, deri në burgosje, por nuk do të ndalojë deri në përmbushjen e misionit të saj”. Megjithatë datë për protesta nuk u vendos ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë