Politike

 ‘S’jemi në Vokshi Fun Club… Po dhomën e rrëfimit ku e montojmë?!’ Hetimi për Shëndetësinë kthehet në debat Big Brotheri

Komisioni hetimor për Shëndetësinë është kthyer në debat alla Big Brother ku gjatë diskutimeve pa thelb ka pasur replika mes anëtarëve të PS dhe PD.

Fillimisht anëtari i PS në Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, Petro Koçi tha gjatë mbledhjes që ky komision duhet të mos harrojë që të fokusohet tek hetimi parlamentar dhe jo penal.

“Ky komision nuk ka komandant apo komandante por ka një drejtues. Sipas nenit 10 kryetari dhe zv. kryetari drejtojnë të gjithë veprimtarinë e këtij komisioni. Po lexoj atë që nuk lexuat ju (i drejtohet Albana Vokshit)… do e ftoja komisionin që më shumë të fokusohet te fenomenet sesa të trajtohet si hetim penal se këtë e bën tjetër kush.

Ka shumë të korruptuar nga të gjitha krahët, me siguri mund të ketë dhe problematika me integritetin e personave të caktuar, por që të jetë më efektiv duhet të ndiqet shembulli i atyre vendeve të tjera që parlamentet hetojnë, por jo si një hetim penal.

Kjo na vë në konflikt interesi. Të administrojmë punën në mënyrë serioze dhe me profil parlamentar. Kushdo që vërtetohet që është i përfshirë në korrupsion, ka të drejtë të bëjë kallëzim. Të shkëputemi nga praktikat e kohës së komunizmit”, tha Koçi.

Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, në anën tjetër nuk kurseu batutat për mënyrën se si do të thirren dëshmitarët ku përfshihen ministra aktuale dhe ish ministra

“Shkurt si i ndjeri Fadil Hasa, a ulemi bëjmë një produkt?! Bëni ca të doni se na plaset! E dyta na kurseni pjesën e planeve, se ne vijmë nga plani 120%.

Sa për planin që na keni sjellë, na thoni dhe ku do ta montojmë dhomën e rrëfimit se keni parashikuar që të rrëfehen të gjithë ministrat tek e tek.

Qysh e kemi tek e tekun? Po ca jemi ne inspektorët e Sigurimit të shtetit që ti marrim tek e tek?! Këtu ore të vijnë ti dëgjojmë të gjithë. Ne nuk do ndajmë lekët.

Prandaj planin Marshall ta lëmë për në fund, ne nuk po biem për kalendarin! Do jetë me Milanin apo me Interin me fotografi. Uluni dhe na i ndani këtë punë dhe të fillojmë punën rehat”, tha deputeti Korreshi.

Ndërsa deputeti i PS-së, Ilir Metaj, ironinë e pati për kryetaren e komisionit, Albana Vokshi.

‘Jemi në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë dhe jo në Albana Vokshi Fun Club, kështu që të paktën asnjë nga ne, të anës këtej të tavolinës nuk e pranojmë rolin e statistikës në skenarin e parashkruar nga ju.

Keni treguar qartë dhuntinë tuaj për të marrë tezat dhe antitezat e rregullores dhe për të prodhuar një sintezë ku rregullorja, ka vetëm pikat që sugjestionohet nga pëlqimi juaj.

Edhe vetë Hegel do t’ju duartrokiste fort. Ju mund të doni që koha e këtij komisioni të mos ketë opinionet tona dhe të mbushet me zhurmën e zërit tuaj të artikuluar por nuk funksionon kështu komisioni hetimor. Do të duhet të mbijetoni me opinionet tona dhe t’i respektoni deri në fund”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë