Lajme

Situatë e tensionuar, Meta kërkon informacion për sigurinë në burgje

Për Presidentin Ilir Meta situata e përgjithshme e sigurisë në vend rrezikon të kompromentohet edhe më tej për shkak të krizës së thellë politike pas zhvillimeve të ditës së mërkurë në disa prej bashkive të drejtuara nga PD dhe LSI.

Për këtë arsye, Presidenti ka kërkuar informacione të detajuara mbi sigurinë në burgjet dhe ka kërkuar nga organet kompetente marrjen e të gjitha masave për garantimin e sigurisë në këto institucione.

Kërkesa e informacionit për sigurinë në burgje mbërriti fill pas letrës që kreu i shtetit i dërgoi OSBE/ODIHR ku e njoftonte këtë të fundit se me dekretin që ka nxjerrë zgjedhjet e 30 qershorit ligjërisht janë nul.

Presidenti thotë se nëse zgjedhjet do të mbahen në kundërshtim me dekretin do të jenë nul dhe të pavlefshme.

OSBE/ODIHR nuk ka reaguar mbi letrën e Metës, por përmes një tjetër deklarate dënoi dhunën në disa KZAZ këtë të mërkurë, tha se nuk duhet të pengohet procesi i zgjedhjeve më 30 qershor dhe kërkoi vënien para drejtësisë të autorëve dhe organizatorëve të dhunës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë