Lionel Mesi-Mançester Siti duket se do të bashkohen së shpejti. Në konferencën për shtyp, i pyetur për zërat që e çojnë argjentinasin te skuadra e tij, trajneri Pep Guardiola ka thënë se dëshiron që Leo ta vazhdojë karrierën te Barcelona, por klubi i tij kërkon ta bëjë të vetin sa më shpejt, që në janar.
“Si tifoz i Barcelonës, do të doja që Mesi ta mbyllte karrierën me atë fanellë. Për momentin ai i përket Barcelonës, një klubi të cilit i jam shumë mirënjohës. Nuk e di çfarë mendon Mesi, nëse do të largohet apo jo. Në çdo rast, merkatoja është në qershor të vitit të ardhshëm, jo tani”, – u shpreh Guardiola në prag të ndeshjes me Totenhemin, duke kaluar me diplomaci pyetjet në lidhje me atë që do të ishte goditja e shekullit: kalimi i Mesit te Mançester Siti.

Përtej fjalëve të trajnerit spanjoll, bisedimet kanë ecur dhe pas rinovimit të Guardiolës me Sitin, nuk ka destinacion tjetër për argjentinasin. Madje, duket e pamundur që Mesi të qëndrojë te Barcelona. Në Angli janë të sigurt për kalimin e numrit 10 më të famshëm në botë në Premier Ligë që në merkaton e janarit.
Begirishtain, drejtori sportive i Mançester Sitit, ka thënë: “Guardiola është personi ideal për të drejtuar një skuadër, pasi asnjë lojtar nuk mund t’i thotë jo. Të gjithë e dinë mirë se sa mund të përmirësohen nën drejtimin e tij”. Shifra për të çuar Mesin te Mançester Siti është rreth 60 milionë euro. Mbetet për t’u parë, nëse në bisedime do të futet apo jo edhe mbrojtësi qendror Erik Garsia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.