Politike

Sita e re për pasurinë: 7 mijë zyrtarë, rideklarim nga e para

Mbi 7 mijë zyrtarë të gjitha niveleve do të duhet të deklarojnë nga fillimi pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur me ta, në rast se një propozim i ri ligjor për kontrollin e pasurive, miratohet në Kuvend.

Sipas këtij propozimi, të gjitha bankat e nivelit të dytë dhe subjekte të tjera duhet të japin të dhënat e ministrave, deputetëve dhe të zyrtarëve dhe të familjarëve për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Një projektligj i depozituar nga deputetja e PS-së, Klotilda Ferhati parashikon detyrimin që bankat e nivelit të dytë t’i japin inspektorëve të ILDKPKI-së të dhënat mbi transaksionet dhe llogaritë bankare.
“Me kërkesë të Inspektorit të Përgjithshëm apo inspektorëve të autorizuar prej tij, bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogarite dhe transanksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim”, thuhet në amendamentin e propozuar.

Faksimile e projektligjit të depozituar në Kuvend

“Ky ndryshim vjen si domosdoshmëri e funksionalitetit të sistemit elektronik (online) të deklarimit te interesave private, i cili parashikon ndërveprim me të gjithë institucionet publike dhe private nga të cilat Inspektorati i Lartë, kërkon, merr dhe administron informacion gjate procesit të kontrollit të plotë dhe/ose hetimit administrativ. Konkretisht, me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, inspektorët e Inspektoratit të Lartë, të ngarkuar me kryerjen e proceseve të kontrollit, do të kenë mundësi të ndërlidhen me sistemet elektronike të institucioneve publike dhe/ose private, duke ju adresuar kërkesa lidhur me të dhënat e nevojshme për proceset e kontrollit dhe marrjen e informacionit prej tyre. Ndryshimi i parashikuar i hap rrugë institucioneve private për të mos pasur asnjë pengesë ligjore lidhur me komunikimin dhe ndërveprimin, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me inspektorët e autorizuar nga Inspektori i Përgjithshëm për ushtrimin e kontrolleve apo hetimeve administrative”, shprehet socialistja në argumentin e saj.
Një tjetër ndryshim është kalimi i procesit të deklarimit nga plotësimi i formularit me shkrim dore në atë elektronik.    

“Për efekt të deklarimit të dërguar me mjete te komunikimit elektronik, sipas nenit 4/2 të ligjit, zbatimi i tij kryhet me përgatitjen dhe vënien në dispozicion të infrastrukturës së nevojshme nga Inspektorati i Lartë. Deri në momentin e funksionimit të sistemit elektronik, subjektet e këtij ligji dhe personat e lidhur mbartin detyrimin për të paraqitur deklaratën e interesave private, në formë fizike dhe të mbyllur në zarf, në strukturat përkatëse të institucioneve. Për efekt të sigurimit të të dhënave dhe informacionit, sipas nenit 26 të ligjit, zbatimi i tij kryhet me përgatitjen dhe vënien në dispozicion të infrastrukturës së nevojshme nga Inspektorati i Lartë”, thuhet në amendamentin e propozuar.


Deputetja, Klotilda Ferhati/ Foto LSA

Ky proces parashikon kohë dhe e detyron ILDKPKI-në ta realizojë brenda dy vitesh. Deputetja e PS-së, Ferhati shpjegon për Gazetën SI se ky institucion do të realizojë fillimisht procesin vitin e ardhshëm me projekt pilot, ndërsa në vitin 2020 pritet të jetë gati.
Për shkak të sistemit online është përcaktuar që mbi 7 mijë zyrtarë të gjitha niveleve duhet të deklarojnë nga fillimi pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur me ta.
“Për efekt të deklarimit të interesave private të dërguar me mjete te komunikimit elektronik, sipas nenit 4/2 të ligjit, të gjithë zyrtarët dhe personat e tjerë te lidhur, qe mbartin detyrimin për deklarim, detyrohen të deklarojnë: a) Në deklarimin periodik vjetor, gjendjen e pasurisë së grumbulluar, detyrimet financiare dhe interesat e tjerë të përcaktuar në këtë ligj, përfshirë burimet e krijimit të tyre, në 31 dhjetor të vitit të deklarimit. b) Në deklarimin para fillimit të punës, gjendjen e pasurisë së grumbulluar, detyrimet financiare dhe interesat e tjerë private të përcaktuar në këtë ligj, përfshirë burimet e krijimit të tyre, në datën e fillimit të punës të vitit të deklarimit. c) Në deklarimin pas largimit nga funksioni, gjendjen e pasurisë së grumbulluar, detyrimet financiare dhe interesat e tjerë private të përcaktuar në këtë ligj, përfshirë burimet e krijimit të tyre, në datën e largimit nga funksioni. Parashikimet në gërmat a) dhe c) janë të vlefshme vetëm për plotësimin për herë të parë të deklaratës së interesave private nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik. 3. Inspektori i Pergjithshëm, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, merr të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e kësaj pike”, thuhet në amendamentin e propozuar.

Ferhati shpjegon se “me deklarimin e parë online të gjithë zyrtarët do të duhen të deklarojnë gjithë pasurinë e krijuar deri më 31 dhjetor të vitit të deklarimit online”. Ky ndryshim, sipas socialistes, vjen si nevojë për të mbuluar dhe rregulluar periudhën tranzitore nga sistemi i vjetër i plotësimit dhe dorëzimit në mënyrë shkresore të deklaratave të interesave private në sistemin e ri me anë të mjeteve të komunikimit elektronik. Në kushtet e ngritjes dhe vënies në funksionim të një sistemi elektronik (on line) të deklarimit të interesave private, në pamundësi për të migruar të dhënat e deklaratave të mëparshme, të cilat janë dorëzuar, administruar dhe ruajtur tërësisht në format shkresore të papërpunueshëm, subjektet që mbartin detyrimin për deklarim duhet të hedhin të dhënat mbi gjendjen e interesave private në përputhje me këto parashikime ligjore. Për më tepër, ky ndryshim ligjor mbulon nevojën teknike për të pasur të dhëna fillestare në sistemin elektronik (online) të deklarimit të interesave private me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë dhe vazhdimit të funksionimit të tij për vitet në vazhdimësi. Parashikimet e nenit 42/2 do të jenë të vlefshme vetëm për plotësimin për herë të parë të deklaratës së interesave private nëpërmjet sistemit elektronik (online) të deklarimit të interesave private, duke mos ndryshuar mënyrën e deklarimit për vitet në vijim.

Subjekt i këtij ligji janë mbi 7 mijë zyrtarë të shtetit ku përfshihen që nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat; Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; c) zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil.

Gjithashtu përfshihen edhe të zgjedhurit lokalë, kryebashkiakë, prefektët dhe drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror; prokurorët, gjyqtarët dhe përmbaruesit e të gjitha niveleve; drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë