Politike

Sistemi zgjedhor, ‘opozita e re’ nis negociatat me PS

Opozita e re ka nisur negociatat me socialistët për të hartuar një projekt të ri për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Socialistët janë vënë në lëvizje për të arritur një konsensus me opozitën e re në Parlament, pas dorëzimit të mandateve në bllok të PD-së, LSI-së dhe të një pjese të aleatëve të saj.
Faktin e nisjes së negociatave me socialistët e bëri publik sot, deputeti që pranoi marrjen e mandatit të LSI-së, Ralf Gjoni, i cili tashmë aderon te grupi “I Pavarur” parlamentar.

“Doja të isha transparent sa i përket kërkesës dhe kushtet që ne si grup i pavarur i kemi vënë mazhorancës qeverisës për ndryshimin e objektit të komisionit të reformës zgjedhore. Jam mirënjohës që PS e tërhiqi draftin e fundit të saj të javës së kaluar dhe ne sot kemi qenë në bisedime me grupin demokrat dhe socialist për të hartuar një draft të pranueshëm sa i përket objektit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Ne kemi kërkuar që objekti nga thjesht adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR të pasqyrojë një hapje të debatit mbarëkombëtar sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor, sepse besojmë se baza e të këqijave janë ndryshimet e 2008”, deklaroi Gjoni për mediat.

Më tej ai theksoi se “kemi propozuar që ndryshimi i sistemit zgjedhor të futet në objekt të këtij komisioni. Kam besim se do të biem dakord për ta ndryshuar këtë objekt dhe do isha i kënaqur që amendimi që ne kemi propozuar të futet nesër në parlament për votim”.

Kushti i ndryshimit të objektit të punës së komisionit i vendosur nga opozita e re pritet të pranohet nga socialistët dhe votimit pritet të mbahet të enjten.
Deputeti Gjoni komentoi edhe kërkesën e opozitës për shtyrjen e zgjedhjeve, duke theksuar se një gjë e tillë nuk mund të ndërmerret si pasojë e “kërcënimeve” të opozitës, por vetëm në dobi të ndryshimit të sistemit në Shqipëri.
“Unë jam shprehur edhe më përpara sa i përket legjitimitetit të zhvillimit të zgjedhjeve në datën e caktuar nga Presidenti, por jam shprehur që edhe nuk është ndonjë katastrofë e madhe dhe ndonjë tragjedi nëse zgjedhjet shtyhen, jo për shkak të frikës që mbjell opozita në rrugë, por nëse shtyrja e zgjedhjeve i shërben ndryshimeve të sistemit zgjedhor dhe përfundimit të punës së komisionit të posaçëm. Unë nuk do kisha asnjë problem me shtyrjen e përkohshëm të zgjedhjeve, ndoshta me disa muaj”, theksoi Gjoni.
Ndërkaq ai hodhi poshtë mundësinë se ky grupim parlamentar mund të krijojë një parti të re siç u formua “Bindja Demokratike”.
“Nuk kemi pasur një plan për të krijuar një parti politike për t'u futur në zgjedhje, synimi është ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Ka pasur inkurajime nga faktor të caktuar krijimin e një partie politike, por fokusi është ndryshimet në Kodin Zgjedhor. I uroj fat të mbarë përfaqësuesve të çdo partie të re politike, por ne kemi prioritet jo krijimin e një partie politike shpejt e shpejt, por ndryshimin e Kodit Zgjedhor", theksoi Gjoni.

Deputetët e opozitës së re në Parlament

Ndryshon përbërja e komisionit
Negociatat mes socialistëve dhe deputetëve të opozitës së re kanë arritur gjithashtu edhe në një konsensus sa i përket caktimit të anëtarëve të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Komisoni do të ketë 10 anëtarë, i ndarë në një numër të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës. Kështu mësohet se anëtarët e Partisë Socialiste në këtë komision janë: Damian Gjiknuri, Bashkim Fino, Klotilda Ferhati, Blerina Gjylameti dhe Alket Hyseni.
Gjiknuri pritet të jetë bashkëkryetari socialist, ndërsa nga opozita pritet të jetë Rudina Hajdari.
Anëtarë të opozitës nga grupi “Demokrat” dhe “I pavaruri” pritet të jenë Rudina Hajdari, Andi Përmeti, Ralf Gjoni dhe Nimet Musai.
Përbërja dhe ndryshimi i objektit të punës së komisionit të posaçëm pritet të votohen nëse seancën parlamentare të së enjtes. Bashkë më këtë kërkesë pritet të votohet edhe shtyrja e afatit të komisionit deri më 28 nëntor, si dhe caktimi i një vëzhguesit të pavarur nga jashtë që pritet të jetë nga radhët e PD-së.
Në përbërje të këtij komisioni është edhe Andi Përmeti, deputeti që i është bashkangjitur partisë së re të formuar nga Astrit Patori, “Bindja Demokratike”.
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor është një nga kërkesat kryesore të ndërkombëtarëve si pjesë e kushtit për plotësimin e negociatave. Për këtë ambasadorët e vendeve të BE-së, si Gjermanisë apo dhe Britanisë së Madhe kanë zhvilluar takime me faktorë brenda Parlamentit, si demokratja Rudina Hajdari, apo dhe nga radhët e socialistëve.

Gjiknuri në takimin me ambasadorin britanik


Ambasadori britanik Duncan Norman zhvilloi sot një takim me sekretarin e PS-së për çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri. “Me ambasadorin britanik me të cilin diskutuam për zhvillimet politike, reformën zgjedhore me përfshirjen e një spektri sa më të gjerë politik, çështjet e sistemit zgjedhor dhe perspektivën e këtij procesi. Britania e gatshme për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e reformës zgjedhore dhe reformimin e ligjit për financimin e partive politike”, shkruan Gjiknuri në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë