Vende dhe Udhetime

Sistemi i ri kufitar i BE-së ngatërrohet nga… binjakët identikë

Nga Gazeta ‘Si’- Sistemi i ri digjital i kufijve të Bashkimit Europian ishte projektuar për ta sjellë udhëtimin në shekullin XXI. Por duket se ka një problem: ngatërrohet kur përballet me binjakë identikë.

Ky është vetëm problemi i fundit në një seri vështirësish që kanë shoqëruar Sistemin e Hyrje-Daljeve (Entry-Exit System – EES), për të cilin presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pranoi këtë muaj se kishte ende “probleme teknike të pazgjidhura” dhe se kërkonte “shumë punë”.

Skema, e cila synon të zëvendësojë vulat fizike në pasaporta me një bazë të dhënash të përbashkët europiane të mbështetur nga të dhënat biometrike, nisi zbatimin më 10 prill, pas katër vitesh vonesash.

Që prej atëherë, udhëtarët janë përballur me radhë të gjata në kufi, ndërsa presin skanimin e fytyrës dhe marrjen e shenjave të gishtërinjve.

Por radhët nuk janë problemi i vetëm i EES.

Një grua britanike u përball me një situatë të pazakontë kur po përpiqej të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar nga Kluzhi i Rumanisë në fund të majit.

Autoritetet rumune e akuzuan atë se ndodhej në mënyrë të paligjshme në zonën Shengen, pasi sistemi kishte regjistruar se dalja e saj nga zona nuk ishte shënuar siç duhej pas një vizite të mëparshme në Amsterdam në prill 2026.

Por kishte një problem: ajo nuk kishte qenë fare në Amsterdam në atë periudhë. Aty kishte qenë motra e saj binjake identike.

Gruaja, e cila kërkoi të mbetej anonime për të shmangur probleme të mundshme në udhëtimet e ardhshme dhe për të respektuar privatësinë e motrës së saj, u mor në pyetje për rreth 15 minuta nga autoritetet.

Kur u tregoi për ekzistencën e binjakes, fillimisht u akuzua se i kishte dhënë dikujt tjetër pasaportën e saj-gjë që ajo e mohoi. Motra binjake ndodhej në Mbretërinë e Bashkuar në atë kohë dhe nuk kishte qenë kurrë në Rumani.

“Duket e njohur”

Sistemi EES duket se i kishte ngatërruar dy gratë bazuar te skanimi i fytyrës, dhe ndoshta edhe te mbiemri, data e lindjes dhe kombësia- të vetmet të dhëna që ato i kanë të përbashkëta në sistem.

Ato kanë gjurmë gishtash të ndryshme, emra të ndryshëm dhe, mbi të gjitha, pasaporta individuale.

Në fund, gruaja u lejua të udhëtonte, por mbeti e shqetësuar për udhëtimet e ardhshme.

Sipas Niovi Vavoula, profesoreshë e politikave kibernetike në Universitetin e Luksemburgut, incidenti mund të jetë rezultat i dy problemeve të ndara: një regjistrimi të gabuar të daljes së binjakes në Amsterdam dhe një kontrolli jo të kryer siç duhet nga autoritetet rumune në Kluzh.

Vavoula, e cila ka këshilluar ligjvënës europianë për aspektet teknike të EES, tha se dalja e regjistruar në Amsterdam mund të jetë kryer në një moment kur sistemi “nuk ishte plotësisht gati ose kishte një defekt”, veçanërisht pasi udhëtimi ndodhi vetëm dy ditë pas aktivizimit të sistemit.

Sipas saj, probleme të tilla nuk janë të pazakonta në fazat e para të një sistemi të ri.

Por edhe autoritetet rumune duket se nuk kanë zbatuar procedurat e duhura.

Sipas rregullave të EES, një udhëtar nuk duhet të identifikohet vetëm nga fotografia e fytyrës, por duhet të bëhet përputhje edhe me shenjat e gishtërinjve dhe të dhënat e pasaportës- të cilat në këtë rast do të ishin të ndryshme.

“Nga përshkrimi i rastit duket se autoritetet nuk janë trajnuar mirë për të dalluar proceset e ndryshme dhe janë mbështetur vetëm te imazhi i fytyrës si mënyrë identifikimi”, tha Vavoula.

Ajo shtoi se fakti që nuk u kontrolluan të dhënat e pasaportës në sistem dhe nuk u mor parasysh fakti që EES ishte ende në fazat e para të zbatimit, tregon atë që quhet paragjykim i ankorimit- kur mbështetesh te prova e parë që shfaqet dhe shpërfill të dhënat e tjera.

Ministria e Brendshme holandeze dhe autoritetet kufitare rumune nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Një problem veçanërisht i madh për britanikët

Komisioni Europian deklaroi se nuk komenton raste individuale, por theksoi se shtetet anëtare janë përgjegjëse për të dhënat e regjistruara në EES.

Sipas Komisionit, udhëtarët që hyjnë në zonën Shengen duhet të japin të dhënat biometrike dhe të pasaportës, çka duhet të mundësojë identifikimin individual të çdo personi.

EES ka pasur një ndikim veçanërisht të madh te qytetarët britanikë pas Brexit.

Sistemi zbatohet vetëm për vizitorët nga jashtë BE-së dhe zonës Shengen, ndërsa qytetarët e shumicës së vendeve fqinje europiane janë të përjashtuar.

Britanikët, megjithatë, përfshihen në këtë regjim, pavarësisht se kryen mbi 63 milionë udhëtime drejt vendeve të BE-së vetëm gjatë vitit 2024.

Situata komplikohet edhe më tej nga sistemi i kontrolleve të përbashkëta në Mbretërinë e Bashkuar, ku udhëtarët që nisen nga stacioni St Pancras International në Londër ose përmes tunelit të La Manshit kalojnë kontrollet kufitare të BE-së që në territor britanik.

Përpara fluksit të udhëtimeve verore, ministrja britanike e Transportit Heidi Alexander u takua me komisionerin europian të Transportit Apostolos Tzitzikostas për të diskutuar shqetësimet mbi vonesat.

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar gjithashtu një fond prej 30.5 milionë paundësh për përmirësimin e kapaciteteve në porte dhe stacione hekurudhore ndërkombëtare pas nisjes së sistemit të ri./Politico


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë