Futboll

Sindikata, letër të hapur Dukës: Jo ‘fair” të kërkosh atë që vetë s’e pranon

Nga një letër e hapur te tjera. Pak ditë më parë ishte presidenti i FSHF-së, Armand Duka i cili i drejtohej Kryeministrit Edi Rama me një letër të hapur, duke i kërkuar zhbllokimin e futbollit me miratimin e katër kërkesave të Ligës Profesioniste. Tani është Sindikata e Futbollistëve Shqiptarë që i drejtohet Dukës me një letër të hapur.

Kryetari i kësaj Sindikate, ish-lojtari i Kombëtares, Andi Lila, i kërkon Dukës firmosjen e kontratës kolektive me FSHF-në. Në letrën e hapur drejtuar kreut të FSHF-së, Lila thekson se kërkesat e futbollit ndaj qeverisë janë të drejta, por, sipas tij, nuk është korrekte të kërkosh nga dikush tjetër atë që vetë nuk e pranon. Dhe këtu ai i referohet refuzimit të nënshkrimit të kontratës kolektive, e domosdoshme për të mbrojtur interesat e futbollistëve në Shqipëri. Ja çfarë shkruhet konkretisht në letrën e hapur të Sindikatës:

Letër e hapur.
Presidentit të FSHF z.Armando Duka.
I nderuar miku im, Presidenti i FSHF, z.Armando Duka.
E lexova me shumë vëmendje letrën tuaj drejtuar Kryeministrit të vendit z.Edi Rama. Prej disa orësh isha në dilemë nëse duhej ta shkruaja këtë letër të hapur pasi nuk do të dëshiroja që të keqkuptohem nga askush. Për këtë arsye më duhet ta bëj këtë sqarim se: Nuk kam asnjë qëllim të bëj polemikë me ju, më besoni për këtë.

Jo unë, por asnjë dashamirës i sportit në tërësi dhe futbollit në veçanti nuk mund t’i heqë asnjë presje letrës që ju i drejtoni Kryeministrit z.Edi Rama. I nderuar z.President në këtë debat publik unë personalisht por edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë është shprehur qartë se është në krahun e sportit. Në vazhdim të këtij qëndrimi, sot po ju drejtoj një pyetje të cilën jua drejtova edhe publikisht në një televizion.

Kur do të nënshkruajmë Kontratën Kolektive mes Sindikatës dhe FSHF? Nëse ju i kërkoni qeverisë të ulet me ju në tryezën e diskutimeve përse ju shmangeni dhe refuzoni të uleni në diskutime me Sindikatën. Në këtë situatë Sindikata është futbolli dhe FSHF është qeveria!

Kontrata kolektive është një domosdoshmëri e futbollit tonë. Kjo kontratë është një nga dokumentet ligjorë që i mungon reformës ligjore në futboll. Është shumë e drejtë që bota e futbollit kërkon të drejtat e saj tek politika por të njëjtin standard vlerësimi duhet të ketë edhe bota e futbollit brenda saj. Por nuk është “fair” të kërkosh nga të tjerët të bëjnë diçka që ti vetë nuk pranon ta bësh.

I nderuar miku im, Presidenti i FSHF Armando Duka. Në vlerësimin tim modest, ju do të kujtoheni si Presidenti i FSHF që e modernizoi këtë institucion dhe që futbollin Shqiptar e futi në rrugën e zhvillimit ekonomik. Si njeri vizionar, ju lutem ta shikoni me qetësi kontratën kolektive dhe të mos bini pre e këshilltarëve mediokër.

Nënshkrimi i saj i bën nder jo vetëm botës së futbollit por edhe juve personalisht. Jam besimplotë se së shpejti do ulemi së bashku për të diskutuar kontratën kolektive.
Duke ju uruar punë të mbarë.
Me respekt, Andi Lila


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë