Libra

Sinagoga e ikonathyese – Të marrët që sfidojnë universin

Tridhjetë e pesë rrëfime, titulli i secilit syresh është një emër dhe mbiemër, për ne i padëgjuar, tridhjetë e pesë biografi personazhesh të pagjasë, të gjithë ekscentrikë, ndonjëherë makabër, pak groteskë, rrallë të mençur: kryesisht “shkencëtarë”-por jo vetëm të tillë-, qëmtuar në 200 vjet histori; ca realë, ca kryekëput të shpikur, dhe shënimi i shkurtër që autori vë në fund të librit i ngatërron edhe më keq punët. Është  kjo tabloja  e librit “Sinagoga e Ikonathyesve”  e shkrimtarit argjentinas-italian Juan Rodolfo Wilcock, që vjen për lexuesin nga botimet e shtëpisë “Pika pa Sipërfaqe”, me shqipen e shkrimtarit Arben Dedja.

Do ketë ndodhur ndoshta që, duke u mbështetur në themelet e zakonshme të shkencës apo të ndonjë disipline të paraqitur si e rreptë, apo, më së pakti të shtyrë nga një intuitë e pagabueshme, i mbartin pasojat deri në fund dhe ecin qetë dhe mbase, me argumente bindës deri në marrëzi...që ndonjëherë matet, në kufijtë e gjenisë. Këto jetë ‘monstruoze’, që historia i provon më kot, nga turpi, t’i harrojë, shpëtohen nga një enciklopedist,  Plutark i papajtueshëm, i pandjeshëm si Buster Keaton, që mban shënim pareshtur veçantitë e tyre më të paharrueshme.

Aaron Rosemblum, që parathoshte, më 1940-n, rikthimin e epokës elizabetiane, përmes zhdukjes së çdo risie të shfaqur në botë që prej 1580-s; besonte në mbështetjen e Hitlerit

Duke kapërcyer  disiplina, epoka dhe kontinente, takojmë mes të tjerësh Juan Valdés y Prom, filipinas, i famshëm për aftësitë e tij të jashtëzakonshme telepatike dhe për krizën e gjuhëve të panjohura,  që shkaktoi tek personazhet e nderuar të mbledhur në një kongres në Sorbonë; për më tepër “i ngjasonte tejet një shenjtori që të mos e shoqërizojë pavetëdijshëm me idenë e një shtëpie publike.”

Aaron Rosemblum, që parathoshte, më 1940-n, rikthimin e epokës elizabetiane, përmes zhdukjes së çdo risie të shfaqur në botë që prej 1580-s; besonte në mbështetjen e Hitlerit, duke qenë se të dy ndiqnin të njëjtin objekti: lumturinë e llojit njerëzor. Yves de Lalande, i pari prodhues romanësh në shkallë të vërtetë industriale. Sócrates Scholfield,  shpikës i një pajisjeje që dëshmonte ekzistencën e Zotit.

Luis Fuentecilla Herrera besonte se njerëzit e kishin origjinën nga sporet e thara dhe që mund të ringjalleshin pas vdekjes me zhytje në ujë.  Alfred Attendu, e mendonte inteligjencën si  mallkim dhe mërzinë topitëse, gjendjen më të mirë që njeriu duhet të arrijë. Antoine Amédée Bélouin,  na paraqitet si pionier i trenit nënujor. Llorenç Riber, katalanas, regjisor teatri, i cili, mes shumë performancave të çuditshme, realizoi në Oksford një inskenim të Hetimeve Filozofike të Wittgenstein-it, e të tjerë, e të tjerë...

“Sinagoga e ikonathyesve”  evokon portretet imagjinare të Marcel Schwob  dhe librat e shpikur të Borges-it, por shkrirja e temave, gjenia gjithnjë e ripërtërirë e Wilcock-ut dhe arsenali i tij i pashtershëm i humorit, thuajse gjithnjë vrasës, çojnë në një rezultat me përmasa drithëruese.

Lexuesi mundet lehtësisht të hamendë se një marrëdhënie e dyfishtë me kthjelltësinë mendore është ajo që lidh secilën nga këto biografi.

Disa nga të vërtetët këtu ngjajnë më të çuditshëm sesa trillimi:  Roger Babson ishte një pseudo-shkencëtar i pasur amerikan, që drejtonte një fondacion të dedikuar izolimit të një “atomi” të gravitetit dhe gjetjen e një substance që mund t’i rezistonte. Një tjetër i çuditshëm krejt i vërtetë është John Cleves Symmes, argumentet e të cilit për “Tokën e Zgavërt” frymëzuan një histori të Poes. Sukseset më të mëdha estetike të Wilcock-ut vijnë me personazhet që i sajon nga zeroja. Shpikjet e Wilcock-ut bëhen edhe më të çuditshme ndërsa ai vijon: “Në moshën 59 vjeçare, belgu Henry Bucher ishte vetëm dyzet e dy.”

Këta “ikonathyes” -secili syresh thyen një imtë imazhin që krijojmë rreth universit -, na propozojnë një kundërunivers të cilit mundemi t’ia kundërshtojmë disa siguri. Duke qenë se është një nga meritat kryesore të këtij libri çmendurie të mrekullueshme,  thuajse të gjithë këto teori janë të besueshme  apo vetëm pak më pak se ato që peshohen rëndë në katedrat universitare. “Sinagoga e ikonathyesve” është korrektim i gjallë i prirjes sonë krejt njerëzore për të harruar. U jep emra, fytyra dhe jetë atyre që kanë qenë të paemër. U rikthen reputacionin atyre që kanë qenë (ndoshta, në disa raste, me të drejtë), të harruar.

Alfred Attendu, e mendonte inteligjencën si  mallkim dhe mërzinë topitëse, gjendjen më të mirë që njeriu duhet të arrijë.

Libri është një shënim i përpjekjeve të  guximshme shpesh të dalldisura dhe me raste idiote,  për të sfiduar ortodoksinë e mendimit dhe hierarkinë e së vërtetës. Asnjë nga këta burra nuk desh të zhdukej, por disa duket se kanë qenë tejet të shqetësuar rreth pavdekësisë së tyre, përveç veprës. Këta janë mono-maniakë, të fiksuar, njerëz të përkushtuar aq thellë rreth vizioneve të tyre përkatës,  që shpesh duket se heqin dorë edhe nga vetja, në përpjekje për të dëshmuar teoritë e tyre apo të realizojnë krijimet e  tyre të ethshme.

 Përjashtimi më i njohur këtu mund të ishte Alfred William Lawson, i cili – na rrëfen Wilcock – ngre një universitet të tërë dedikuar “Lawsonomisë”, markës së tij të veçantë të mendimit shkencor dhe filozofik. Universiteti, diku në Des Moines, Iowa, është tanimë – siç na rrëfehet me keqardhje – një qendër tregtare. Roger Babson,  për shembull, nuk dëshironte asgjë të emërtohej sipas tij, as biografia e tij e shkruar, por shpresonte që Fondacioni i Kërkimit të Gravitetit të njihej, pavarësisht faktit se ishte “konsideruar  nga kritikuesit e tij si institutit më i padobishëm shkencor i shekullit 20”.

Armando Aprile,  një revolucionar utopik, nga ana tjetër “ nuk la asgjë pas, përveç një emri që tingëllonte i rremë dhe një adresë që nuk i përkiste atij.” Wilcock, me mirësjellje,  rendit vetëm shtatëdhjetë e tetë nga qindra shpikje të patentuara nga Jesús Pica Planas (përfshi një dyrrotak me rrota pakëz eliptike për të imituar "galopin e këndshëm të një kali” dhe “një piano që punon me avull”), njeriu më i interesuar në krijimin e tyre sesa në ruajtjen e kujtesës vetjake.

“Në moshën 59 vjeçare, belgu Henry Bucher ishte vetëm dyzet e dy.”

Lexuesi mundet lehtësisht të hamendë se një marrëdhënie e dyfishtë me kthjelltësinë mendore është ajo që lidh secilën nga këto biografi. Wilcock, megjithatë, nuk gjykon, kurrë nuk përmend fjalën apo të kundërtën e saj. Kush, lë të kuptohet ai, jemi ne të gjykojmë?  Historia e koklavitur e jetës së tij dhe imagjinata pjellore dhe e veçantë mund ta ketë çliruar atë nga gjykime me vlerë kaq asgjësuese.

Është e dukshme që të gjithë ikonathyesit e Wilcock-ut janë burra. Gratë, mund të duket, janë  më pak të dhëna ndaj rrekjeve ekstravagante për të siguruar modelet e përftuara të të menduarit. Ndoshta, trishtueshëm, gratë e tilla janë në nevojë të forcave edhe më të mëdha të përkujtesës, apo të një ikonoklazme rrënjësore që do të lejonte Ada Lovelace-in, Rosalind Franklin-in apo Hypatia-n të hynin drejt e në sinagogë vetë – përmes kontributeve të tyre, nga ana tjetër ishin tejet të kthjellëta për t’u lejuar  në panteonin e Wilcock-ut.

Juan Rodolfo Wilcock

 Vetë historia e Juan Rodolfo Wilcock-ut është zor më e besueshme se ajo e jetëve që ai përshkruan.  “Më 4 prill 1979 shkrimtarit Juan Rodolfo Wilcock, i lindur në Buenos Aries më 17 prill 1919, baba anglez, nënë argjentinase (me origjinë piemonteze), iu dha shtetësia italiane. E kish dorëzuar kërkesën për të marrë shtetësinë e vendit ku jetonte prej 20 vitesh (ai – oriund) dhe ku kish botuar mbi 20 libra, qysh në vitin 1975, derisa më në fund, mbas katër vjetësh – vonesë fiziologjike e burokracisë italiane – përgjigja pozitive, akti i firmosur nga Presidenti i Republikës, erdhi”, kështu shkruan në parathënien e botimit shqip përkthyesi Arben Dedja, ndërsa rrëfen më tej jetën e shkrimtarit argjentinas-italian

E kërkuan adresave që kish lënë: në periferinë e Romës, me shtëpi përdhese, oborre mbuluar nga shkurret dhe mure leskra-leskra e tërë igrasi, në Velletri – vendbanimi i lashtë i volshëve, pastaj në Lubriano, qytezë etruske e baroke me më pak se 1000 banorë ku, për t’i ikur rrumpallës së kryeqytetit, u tha se ish transferuar, në një shtëpi në krah të varrezave, me përballë pamjen mahnitëse të majave të kodrinave prej shtufi, teksa qielli zbret mbi luginën e Kalankeve. Nuk e gjetën dot. Sepse Juan Rodolfo Wilcock ndërkaq kish një vit i vdekur (16 mars 1978), pikërisht në ditën kur Brigadat e Kuqe patën rrëmbyer Aldo Moron (me Italinë të hutuar, që të mund t’i kushtonte një pikë vëmendjeje këtij shkrimtari të çuditshëm). Kështu, me këtë absurd të vdekjes kur s’duhej dhe të shtetësisë pas të vjelave, mbyllet aventura tokësore e Wilcock-ut.

“Sinagoga e ikonathyesve” është korrektim i gjallë i prirjes sonë krejt njerëzore për të harruar.

Kish banuar në periferinë më të varfër të Buenos Airesit; i ati ishte punëtor, e ëma shtëpiake, ai triling. Vetëm lexonte. Nuk u mjaftua me gjuhët që dinte, mësoi edhe frëngjishten e gjermanishten. T’i mësonte, për Wilcock-un desh të thosh t’i sundonte (ende adoleshent, përktheu në spanjisht “Ditarët” e Kafka-s, një përvojë që e shenjoi). Desh gjithashtu të thosh, për të, ta lexonte letërsinë vetëm në origjinal. Ka mjekë që nuk kanë shumë besim te mjekësia kur vjen puna për veten e tyre. Në të njëjtën linjë mendimi, Wilcock-u, vetë një përkthyes nga më virtuozët, nuk lexonte libra po të mos qenë në gjuhën origjinale (kështu, për shembull, gjatë jetës së tij, nuk lexoi kurrë letërsi ruse). Regjistrohet në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Buenos Airesit: studionte, punonte si punëtor krahu, jepte provimet.

Luis Fuentecilla Herrera besonte se njerëzit e kishin origjinën nga sporet e thara dhe që mund të ringjalleshin pas vdekjes me zhytje në ujë.  

Fillon punë në Hekurudhat Shtetërore, por nuk zgjat shumë, një vit e veç kur jep dorëheqjen (1944). Nis të merret gjithnjë e më seriozisht, obsesivisht, me letërsi. Vetëm në vitet ’40 boton edhe pesë libra të tjerë poetikë, merret, sakaq, me gazetari dhe, në disa nga revistat argjentinase më të rëndësishme të kohës (ndonjë e drejton edhe vetë: Verde Memoria 1942-44; Disco 1945-47 etj.), boton kritikë letrare, ese, kritikë arti, drama [më vonë doli që një pjesë e këtyre kritikave ishin mbi libra të rremë, të pabotuar kurrë – pjellë e fantazisë –; apo recensione ekspozitash inekzistente (ku “paraqisnin” punët e tyre piktorë e skulptorë kallpë), bile edhe shumë pjesë teatrale ishin të shpikura dhe regjisorët/aktorët irrealë (shihni kapitullin mbi regjisorin Llorenz Riber,)].

Këta janë mono-maniakë, të fiksuar, njerëz të përkushtuar aq thellë rreth vizioneve të tyre përkatës,  që shpesh duket se heqin dorë edhe nga vetja, në përpjekje për të dëshmuar teoritë e tyre apo të realizojnë krijimet e  tyre të ethshme.

Nëpër redaksitë e revistave letrare njeh dhe zë mik Borges-in, Silvina Ocampo-n, Adolfo Bioy Casares-in. Me çiftin Ocampo Casares, më 1951 ndërmerr udhëtimin e tij të parë në Europën e pasluftës: viziton Londrën, Romën, Parisin, Zvicrën ku ka varret e gjyshërve. Tani që erdhi në Europë qëndron aty gjatë (për një vit, 1953-54, në Londër është përkthyes dhe bashkëpunëtor i BBC-së). Kur kthehet në Argjentinë ndjen që erërat kanë ndryshuar, një klimë e acartë diktaturash po e ngërthen Amerikën Latine.Kështu, në verën e vitit 1955, merr anijen që do ta çojë për fare në Europë. Zgjedh Italinë; vendoset fillimisht në Romë, periferive; si në çdo periferi shtëpia e tij ka qen, mace dhe pleshta. Aty lidh miqësi me shkrimtarë dhe njerëz të letrave: Alberto Moravia, Ennio Flaiano, Elsa Morante, Luciano Foà, Pier Paolo Pasolini, Roberto Calasso...

Wilcock në rolin e priftit Kajfa, në filmin "Ungjilli sipas Mateut", me regji të Pasolinit

Miqësitë janë kryesisht të majta, ndërkohë bashkëpunon me faqen kulturore të një gazete të djathtë (“Il Tempo”). Pasolini e angazhon si aktor në filmin e tij “Ungjilli sipas Mateut” (1964), ku, pavarësisht syve të kaltër dhe hundës së hollë, luan rolin e kryepriftit Kajfa (e si mund të ndodhte ndryshe: ai – aq mendjemprehtë, ironik, me atë buzëqeshje prej kufome); boton fantashkencë; përkthen letërsi latino-amerikane; përkthen (nga anglishtja në italisht) një kondensat të veprës më të papërkthyeshme, “Finnegans Wake”, e ri-rrëfen këtë ëndërr të Joyce-it ai, si irlandezi i famshëm pluriling i dashuruar me Italinë, me fragmentin më të gjatë dhënë gjer sot në italisht(ende “Finnegans Wake” mungon i plotë në Itali).  

“Sinagoga e Ikonathyesve” të  Juan Rodolfo Wilcock-ut, në mënyrën e tij, performon të njëjtin tipar, të shpresës së gjetur nga ngjarjet e pandodhura, duke i dhënë jetë së shkuarës të mbetur pa përgjigje ...

Fillon  edhe vetë t’i shkruajë drejtpërsëdrejti në italisht veprat e veta, dhe nuk janë pak: romane, poezi, komedi, tregime dhe, sidomos proza, është e vështirë të kategorizohet në gjini të mirëfillta. Fragmenti, shkolitja e tematikave, luhatja e stilit, mizoria e vështrimit të autorit, gjithnjë tragjik dhe dëfrimtar, një shije e hollë për të ndjellë llahtarën dhe bukurinë e saj të nëndheshme, që askush tjetër nuk i avitet, janë disa nga karakteristikat e kësaj vepre. U nda nga jeta si pasojë e një infarkti më 1978-n, në shtëpizën e tij në periferi të Romës, me një libër të hapur mbi shkrimore, rreth sëmundjeve të zemrës.

Një tjetër i çuditshëm krejt i vërtetë është John Cleves Symmes, argumentet e të cilit për “Tokën e Zgavërt” frymëzuan një histori të Poes.

Libri mbyllet me  rrëfenjën për Félicien Raegge , i cili “në rrugët e zbrazëta të Gjenevës...nuhati natyrën e kthyeshme të kohës”. E ardhmja tashmë kish ndodhur, besonte Raegge dhe ne po iknim vetëtimthi pakthyeshëm dhe pashmangshëm drejt së shkuarës. “Sinagoga e Ikonathyesve” të  Juan Rodolfo Wilcock-ut, në mënyrën e tij, performon të njëjtin tipar, të shpresës së gjetur nga ngjarjet e pandodhura, duke i dhënë jetë së shkuarës të mbetur pa përgjigje dhe duke bërë këtë, krijon një hapësirë për të shkruarit që nuk është as tani as atëherë, as e vërtetë as e rreme, njëherazi këtu dhe jo këtu/ S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë