Trend

Simboli dhe jo dhuratat materiale janë trendi i këtyre festave! Për fëmijët, makinat dhe kukullat preferohen nga ‘halli’

Simboli dhe jo dhuratat materiale duket se janë trendi i festave të këtij fundviti.

Marsi nga dyqani i Oazi Festiv thotë për Gazetasi.al se mbizotëruese janë dhuratat që nuk kanë një funksion por një mesazh apo krijim me foto.

E njëjta gjë ndodh edhe në dyqanin “dhurata të personalizuara” ku mbizotëruese janë fotot e personalizuara dhe “numri i blerësve sa vjen dhe rritet çdo vit e më tepër”.

Ornela, një studente në Universitetin e Arteve thotë për Gazetasi.al se ka 4 vite që mundohet të bëjë vetëm dhurata të personalizuara, që kanë një lidhje të ngushtë me personin që do i dhurohet.

“Mamit vjet i kam bërë dhuratë një glob me fotografinë e familjes ndërsa këtë vit kam porositur një varëse që ka të shkruar “OSR” që janë inicialet e tre fëmijëve”, thotë Ornela.

Klea Hoxha, një tjetër e re tregon se ka blerë dy dhurata deri tani për fundvit.

“Kam porositur dy byzylykë me kristale dhe mendoj se edhe dhuratat e tjera do të jenë të kësaj natyre”, tregon ajo.

Këtë trend e kanë ndjerë edhe shitëset e ‘dhuratave të dikurshe’.

Shumë prej shitëseve në tregun “Çam” në Tiranë, pohojnë për Gazetasi.al se janë ulur blerjet e produkteve që janë për dhuratë.

“Tani kundërshtojnë direkt kur ju thua ‘shiko këtë bluze’ dhe shumica tani as nuk e imagjinojnë idenë e të bërit dhuratë një bluzë apo diçka të këtij lloji”, tregon një nga shitëset.

Ndërkohë lodrat mbajnë frontin si dhuratat që kurrë nuk do të humbin, sado keq të jetë ekonomia e një familje.

Shitëse të ndryshme në tregun e Medresesë thonë për Gazetasi.al se shitja e lodrave vazhdon të jetë në të njëjtat ritme siç ka qenë më parë, ndoshta dhe më shumë.

“Blerja e lodrave nuk mungon kurrë në asnjë periudhë të vitit por gjatë fundvitit ka shumë kërkesa për lodra, nga më të ndryshmet”, thotë Izmetja, shitëse në Medrese e cila shton se një detaj që ka vënë re është se është rrit kërkesa për të bërë dhuratë lodra me personazhe të njëjta.

“Shumë prindër tashmë blejnë lodra me një temë. Për shembull, kanë blerë orë me spiderman, spiderman lodër, makinë që ka figurën e tij dhe çdo produkt tjetër që lidhet me të. Njësoj ka funksionuar edhe me dinozaurët apo personazhe të ndryshëm. Kjo është shumë e theksuar këtë vit”, thotë ajo.

Lodrat që nuk do të zhduken kurrë janë kukullat dhe makinat dhe kjo për një arsye të thjeshtë, ndoshta për një arsye negative.

Lili, një tjetër shitëse tregon për Gazetasi.al se kukullat dhe makinat janë ndoshta edhe një mënyrë më e thjeshtë për prindërit “për të blerë diçka që pëlqejnë fëmijët”.

“Ka prindër që vijnë dhe blejnë kukull apo makinë sepse nuk e dinë saktësisht se çfarë do fëmija dhe këto të dyja janë lodrat ‘universale’ për fëmijët”, thotë Lili.

Të dyja shitëset pohojnë se me kalimin e kohës ka ndryshuar edhe mosha e fëmijëve që marrin dhurata.

“Nëse më parë dhuratat bazike bëheshin për fëmijët deri në moshë 5-6 vjeçare, tashmë maksimumi prindërit blejnë dhurata të tilla si lodra, makina, kukulla për fëmijët deri në 3 apo 4 vjeç”.

Diçka është e sigurt, siç pohuan të gjithë shitësit, tradita e të dhuruarit është akoma gjallë në vendin tonë.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Instat që tregojnë se për muajin nëntor të vitit 2021 importi i lodrave ka arritur vlerën e 636 mln lekë ndërkohë që në tetor vlera arrinte në 326 mln lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë