Libra

Silvana Berki i bën poetët shqiptarë të flasin në finlandisht

Na ishte njëherë shpresa. Kështu titullohet antologjia më e re e poezisë shqipe në gjuhën finlandeze. Silvana Berki, e cila prej vitesh jeton dhe punon në Finlandë bëri bashkë 25 poetë bashkëkohorë shqiptarë, që shkruajnë në gjuhën shqipe pavarësisht nga vendi në të cilin jetojnë, në botimin “Olipa kerran toivo”.

Të pranishëm në ceremoninë përuruese në qytetet Tempere dhe Lahti, ishin poetja dhe skenaristja Natasha Lako dhe poeti e prozatori Arian Leka. Në veprimtari, përveç dashamirësve të poezisë morën pjesë edhe emra të shquar të poezisë bashkëkohore finlandeze, si akademikët Kristi Kuuronen, Kari Aaronpuno dhe një bashkëbisedim me prozatorin e njohur finlandez Hannu Salama.

Përveç përzgjedhjes mbi kritere profesionale të autorëve dhe shënimeve shoqëruese për çdo autor, Antologjia – Olipa kerran toivo merr vlerë të veçantë edhe për organizimin e lëndës letrare, pasi në të, si rrallë herë më parë, bota poetike e shqiptarëve vjen e unifikuar në një panoramë të gjerë e gjithëpërfshirëse, pasi në brendi të saj ka poetë të trevave ku poezia shkruhet shqip, si Shqipëri, Kosovë, Maqedonie Veriut, Mal i Zi dhe Arbëreshët e Italisë.

Përkthyesja Silvana Berki me poetët Arian Leka dhe Natasha Lako

Lexuesi finlandez gjen në botimin e ri poezi nga Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mimoza Ahmeti, Suzana Zisi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Sokol Zekaj, Gazmend Krasniqi. Adem Gashi, Ndue Ukaj, Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Ramadan Musliu, Selajdin Saliu, Eqrem Basha, Xhevdet Bajraj, Anton Gjojcaj, Marg Shilipa, Zef Skiro Di Maxho, Mario Belizzi, Katerina Xukaro, Lindita Ahmeti e Lulëzim Haziri.  

“Gjatë procesit të përkthimit të poezive kuptova se nuk isha vetëm një përkthyese nga gjuhët shqip në finlandisht, por edhe shqip-shqip. Kjo për arsye sepse ashtu si jeta edhe gjuha zhvillohet dhe jeton brenda kohës së vet dhe brenda kufijve gjeografik”, rrëfen përkthyesja, duke zbuluar veçantitë jo vetëm të botimit, por edhe të procesit të përkthimit.

Berki rrëfen më tej se përmes këtyre poezive kupton më thellë larminë dhe dallimet jo vetëm të shqiptarëve me kulturat e tjera, por edhe mes kulturës së vendit ku shqipfolësit jetojnë mes gëzimeve dhe brengave të tyre. “Përmes këtij libri kupton edhe pasurinë e madhe gjuhësore të këtyre trevave, ku jo vetëm thellësia e mendimit të poetëve, por herë-herë ishin edhe të shprehurit e ndryshëm, ndikimi i dialekteve që edhe pse ma bënin përkthimin pak të vështirë, më pasuronin në të njëjtën kohë, duke më dhënë shumë dhe duke ma pasuruar fjalorin”, thotë Berki e cila tre vjet më parë solli në shqip antologjinë e parë të poezisë bashkëkohore finlandeze në gjuhën shqipe. Njëzetetre poetë finlandezë erdhën për lexuesin në botimin e titulluar “Gjuha më e vështirë në botë”.

Gjatë aktiviteteve promovuese të antologjisë poetike në Tempere dhe Lahti, Finlandë

Antologjia vjen me një parathënie shkruar nga poeti dhe studiuesi Gazmend Krasniqi, i cili zbardh për lexuesin finlandez momente të spikatura në poezinë shqiptare, që prej fillimeve të saj e deri në ditët e sotme. “Gjithsesi, nuk dua të lë pa përmendur se, përveç poezisë, pikënisja e këtij projekti ka pasur edhe një dimension human. Kjo nisur edhe prej pozicionit tim si emigrante fillimisht dhe zhvillimet e mia të mëtejshme, ku rol të veçantë ka luajtur këndvështrimi i shkencave sociale (formimi im shkencor) që priret të mbështetëse kombet e vegjël, gjuhët e tyre dhe përhapjen e këtyre kulturave në mbarë Europën, pse jo edhe më tej, në rang global”, zbulon Berki, e cila jeton në Finlandë prej 28 vitesh tashmë, ku edhe ndoqi formimin akademik në vitet e para, pas mbërritjes.

“Gjuha angleze, gjuha gjermane dhe ajo ruse, mes të tjerash, duket se e kanë kolonializuar kulturalisht pothuajse të gjithë botën. Gjuhët e tjera të kombeve të vogla, si shqipja apo finlandishtja janë thuajse të panjohura në rrafsh më të gjerë dhe pak komunikojnë dhe kontribuojnë si letërsi” -Silvana Berki

“Ikëm për të mbijetuar”, rrëfente dikur ajo, ndërsa e pyesnin se çfarë e mbajti aq gjatë në Finlandë.  “Nuk mendoj se varej nga ne, varej edhe nga gjendja politike në Shqipëri”. Pasioni për letërsinë  i lindi herët përkthyeses, ndërsa me poeten Natasha Lako, të cilën e priti në Finlandë, do ta takonte për herë të parë në rrethin letrat të pionierëve, sëbashku me Shpesa Vreton.

Ishte koha kur shkrimtarët shkonin në rrethe, flisnin për letërsinë e tyre dhe stimulonin të rinj të pasionuar nëpër rrethe letrare. Shumë vite më vonë, pasioni për letërsinë i është shndërruar gati profesion, jo vetëm me përkthime, por edhe me poezitë me tema sociale, që fillimisht i shkruante në shqip dhe i përkthente në finlandisht. Atje gjeti lirinë të merrej me letërsi, por edhe t’u çonte poezinë bashkëkohore lexuesit finlandez.

Antologjia më e re e poezisë shqiptare, përkthyer në gjuhën finlandeze nga Silvana Berki dhe botuar nga “Aviador Kustannus” me asistencën e Aleksanteri Kovalainen dhe kujdesin në botim të Vesa Tompuri-t.

Berki flet rreth fenomenit të “kolonializmit gjuhësor”, i përhapur edhe më, përmes teknologjisë në epokën postmoderne. “Gjuha angleze, gjuha gjermane dhe ajo ruse, mes të tjerash, duket se e kanë kolonializuar kulturalisht pothuajse të gjithë botën. Gjuhët e tjera të kombeve të vogla, si shqipja apo finlandishtja janë thuajse të panjohura në rrafsh më të gjerë dhe pak komunikojnë dhe kontribuojnë si letërsi”, është e mendimit Berki e cila gjeti mbështetje për nismën e saj nga institucioni KONE SÄÄTIÖ. “Përmbushja me sukses e këtij projekti dëshmon se sa nevojë kemi për mbështetjen e institucioneve të tilla që, përveç profesionalizmit, promovojnë vlerat mes kulturave, gjuhëve, popujve dhe mbështesin humanizmin”

Ëndrra ndez ëndrrën, thotë Berki. “Shpresoj që tani, kur themelet janë hedhur mund të ecim drejt të panjohurave edhe më të bukura, duke menduar për projekte të tjera, edhe më të gjera, duke i dhënë kulturës dhe letërsisë shqiptare edhe më shumë frymëmarrje”, uron përkthyesja, ndërsa zbulon se iu deshën thuajse tre vite për të sjellë në jetë antologjinë.

Ëndrra e saj u bë realitet, gjatë ditëve promovuese të antologjisë nga data 13 e deri më 16 qershor, ku në Tampere dhe Lahti u organizuan veprimtari të shumëllojshme, në të cilat u përfshinë disa nga institucionet kryesore të jetës kulturore të qyteteve përkatëse, të cilat e bënë përurimin e Antologjisë – Olipa kerran toivo, pjesë të programeve kulturore kombëtare e ndërkombëtare, ku u fol për poezinë shqiptare, ku u dëgjua poezia e shkruar në gjuhën shqipe. 

Përveç veprimtarive të tjera përuruese, Arian Leka mori pjesë si studiues edhe në “Lahti International Writers’ Reunion – LIWRE”, ku paraqiti punimin e tij mbi temën “Writer’s nature”. Tema e artikullit të titulluar “Erasing the Other from the Weather Map”, u ndal tek temat e përjashtimit të “Tjetrit” nga kultura, mbi kulturën e “Tjetërsimi”, tezën nacionaliste të eksperimentimit puritan mbi “letërsitë e vogla” dhe “luftën” absurde të spastrimit të gjuhës së “kulluar” letrare nga ndikimet dhe huazimet e çdo forme (orientalizma, oksidentalizma, globalizma, etj.,).

Shkrimtari foli gjithashtu edhe mbi krijimin e një “gjuhe të (s)pastruar” shqipe, përfytyrimin e gjuhës si një “kamp përqendrimi”, në të cilin nuk ka vend për të ndryshmin dhe të huajin, mbi fjalët klandestinë dhe fjalët emigrantë në trupin e gjuhëve ballkanike si dhe çështje të urrejtjes kulturore dhe armiqësimit të kulturave fqinje.

Përveç pjesëmarrjes në bienalen unike “Liwre, 2019” – që, duke filluar nga vitit 1963 ruan reputacionin e një prej forumeve më të rëndësishëm të letërsisë dhe mendimit europian, në të cilin kanë marrë pjesë më shumë se një mijë autorë, studiues e shkrimtarë – mes tyre disa laureatë të Çmimit Nobel.

 

Më Shumë