Politike

Sikur të votohej sot…

Rreth 3.5 milionë shqiptarë janë ftuar këtë të diel që të zgjedhin drejtuesit e rinj të bashkive dhe këshillat bashkiakë. Zgjedhjet mbërrijnë rreth 2 muaj e gjysmë pas 30 qershorit, të anuluar nga Presidenti i Republikës me arsyetimin se rrezikohej siguria kombëtare.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi të shtunën se kishte përmbyllur normalisht dhe pa asnjë incident të gjithë procesin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore në mbi 5 mijë qendrat e votimit në të gjithë vendin.

Votimi nisi i qetë. Presidenti Ilir Meta ishte i pari zyrtar i lartë që votoi në qendrën e votimit të ngritur në kopështin Nr.31 në Njësinë numër 5 në Tiranë. Pas tij ka votuar kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi në qendrën e votimit tek Liceu Artistik, po në Tiranë. Kamerat u rikthyen sërish në qendrën e votimit në Kopështin numër 31, ku ka votuar Monika Kryemadhi.

Kryeministri Edi Rama votoi në qendrën e votimit të ngritur në Surrel, ndërsa rreth mesditës votën e ka hedhur edhe Lulzim Basha në qendrën e votimit të ngritur në kopështin numër 13 në njësinë administrative numër 8 të kryeqytetit.

Për mazhorancën, zgjedhjet konsiderohen si një test votëbesimi se është në rrugën e mbarë të reformave që ka nisur, ndërsa për opozitën është një referendum votëbesimi për Edi Ramën dhe test për zgjedhjet parlamentare të 2021.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar rreth orës 10:00 se pjesëmarrja është më e lartë se zgjedhjet e tjera, se të gjitha qendrat e votimit u hapën në orarin zyrtar dhe se komisionerët e të gjitha forcave politike kanë zbatuar ligjin me përpikmëri, duke denoncuar 3 raste të fotografimit të votave. Policia ka ndërhyrë duke arrestuar personat në fjalë.

Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00. Fill pas mbylljes së tyre, materialet zgjedhore do të grumbullohen nëpër KZAZ-të ku do të nisë procesi i numërimit. Rreth mesnatës, pritet që ky proces të përfundojë dhe ditën e hënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë rezultatin paraprak.

Të premten, PD dhe LSI zhvilluan mitingjet përmbyllëse në Tiranë, ndërsa Kryeministri Edi Rama e mbylli fushatën në qytetin e Vlorës. Rama kërkoi votën si konfirmim për të vazhduar punën në bashkitë që drejtojnë deri më tani socialistët dhe ftoi qytetarët edhe në bashkitë e opozitës si në Shkodër, Lezhë e Kavajë që të votojnë kandidatët e Partisë Socialiste për të “rilindur” edhe këto bashki si pjesa tjetër e bashkive socialiste.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kërkuan votën për kandidatët e tyre si e vetmja alternativë, për ta nxjerrë vendin, sipas tyre, nga kriza e thellë ekonomike që e ka përfshirë.

Këto zgjedhje mbërrijnë pas marrëveshjes së nënshkruar në fund të muajit qershor mes mazhorancës dhe opozitës. Pakti ishte produkt i këmbënguljes së Presidentit Ilir Meta për t’i ulur në tryezë, në mënyrë që opozita të shmangte bojkotin dhe mazhoranca të mos zhvillonte zgjedhje e vetme.

Presidenti Ilir Meta anuloi më 10 qershor datën 30 qershor si ditë zgjedhjesh dhe pas konsultimeve të gjata dhe tryezave të lodhshme me të gjitha partitë politike, më 27 qershor nxorri dekretin që shpalli 13 tetorin ditë zgjedhjesh.

Pati një dakordësi të plotë për këtë datë të përzgjedhur pak ditë para vendimmarrjes së Këshillit Europian për hapjen e negociatave. Mbarëvajtja e këtij procesi zgjedhor pritet që të bindë Francën dhe Holandën, dy vendet skeptike të zgjerimit, se Shqipëria meriton hapjen e negociatave.

Një ndihmë për këtë pritet që të japë edhe raporti paraprak i OSBE/ODIHR. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë lëvduar deri më tani qytetarinë dhe fushatën elektorale model të zhvilluar për këto zgjedhje, ku nuk u regjistrua asnjë incident, asnjë abuzim me fondet publike, asnjë retorikë urrejtjeje dhe ku të gjitha partitë dhe kandidatët e tyre të “dekriminalizuar” shpalosën platformat në një garë të ndershme se kush do t’u shërbejë më mirë qytetarëve.

Shënim: Shkrimi është një sajesë. Në të vërtetë, sot më 13 tetor, Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vlorë për të ndjekur punimet në lagjen historike të qytetit, Presidenti Ilir Meta ndodhet tek Gjiri i Lalëzit duke zhongluar me top futbolli, ndërsa Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë rënë në qetësi pas javës së ngjeshur që lamë pas. Gjithashtu, në vend të rivalëve për kryetarë bashkie në Tiranë, Erion Veliaj kishte përballë kandidatët për Maratonën e Tiranës, që u zhvillua për të katërtin vit radhazi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë