Treg

Sigurimi i jetës së debitorit, numri i kontratave u rrit ndjeshëm në 4 muajt e parë të vitit

Numri i kontratave të sigurimit të jetës së huamarrësve është rritur ndjeshëm në muajt e parë të vitit.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për 4-mujorin e këtij viti, kompanitë e sigurimit të jetës lidhën më shumë se 30 mijë kontrata të sigurimit të jetës së debitorit.

Numri i kontratave të sigurimit për këtë produkt është rritur me pothuajse 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare.

Shumica e bankave kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë bankare afatgjata dhe në shuma të mëdha.

Sigurimi i jetës së debitorit është në fakt kolona kryesore ku mbahet tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri.

Aktualisht, ai siguron rreth 73.5% të numrit të përgjithshëm të kontratave dhe të volumit total të primeve.

Për katër muajt e vitit 2023, primet e shkruara bruto nga kontratat e sigurimit të jetës së debitorit arritën në 393 milionë lekë ose 3.7 milionë euro.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, primet e shkruara bruto janë rritur me 18.5%.

Për 4-mujorin 2023, tregu i sigurimit të jetës arriti një volum të primeve të shkruara bruto prej 567 milionë lekësh, në rritje me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e tregut të jetës është ndjeshëm më e lartë se rritja e sigurimeve të jo-jetës, që për të njëjtën periudhë shënoi një rritje me rreth 16%. Shtysa kryesore në rritjen e tregut të sigurimit të jetës ka qenë pikërisht produkti i sigurimit të jetës së debitorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë