Treg

AKU, mish jashtë standardeve për fëmijët e kopshteve në Shkodër

Magazina që ruante mish për fëmijët e kopshteve dhe çerdheve në Shkodër zbulohet nga AKU se nuk kishte frigorifer dhe kishte kushte të mjerueshme higjieno-sanitare.

Enti publik është gjobitur me 300 mijë lekë gjobë nga Autoriteti.

AKU bën me dije se gjatë kontrolleve rutinë për sigurinë ushqimore është konstatuar se, Subjekti “Ent publik – Magazinë ushqimore për grupe të veçanta popullsie (çerdhe, kopshte)” në Shkodër ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Gjatë kontrollit u kuptua se subjekti (ent publik) nuk dispononte frigoriferë për ruajtjen e produkteve të mishit dhe nënprodukteve të tij, mungonte tualeti, pajisjet brenda magazinës kishin prani ndryshku, nuk dispononte leje/certifikatat përkatëse higjeno-sanitare për automjetin e transportit të ushqimeve, si dhe agjentët e pastrimit dhe dezinfektantët ruheshin në të njëjtat ambiente me ushqimet. Për këtë subjekti është ndëshkuar me gjobë me vlerën 300 mijë lekë.

Po ashtu AKU ka ndëshkuar edhe katër subjekte të tjera që shisnin produkte shtazore me ngarkesë mikrobiologjike, produkte të skaduara dhe mish pa vulë e certifikatë veterinare e në mungesë të plotë të higjienës.

AKU gjatë kontrollit ka bllokuar 65.5 Kg produkte të pasigurta dhe ka vendosur 1,7 mln lekë gjobë së bashku për pesë subjektet (supermarket, pastiçeri,njësi tregtimi, restorant dhe magazinë).

Autoriteti bën me dije se nga kontrollet e kryera ka rezultuar se disa subjekte e zhvillonin biznesin në kundërshtim me kërkesat ligjore:

Subjekti “Maliq Begteshi” me aktivitet “Supermarket ushqimor”, Tiranë, tregtonte produkte ushqimore (djath, mish dhe kofsha pule) në kushte të papërshtatshme ruajtjeje dhe tregtimi (produktet e mishit mbaheshin në të njëjtin ambjent frigoriferik me pije freskuese dhe jo në frigorifer ngrirës). Analizat e mostrave të produkteve të mishit dhe djathit konfirmuan se produktet kishin ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella spp dhe nivel mbi normën e lejuar të Enterobaktereve).

Subjekti u ndëshkua me; “Gjobë” me vlerën 500 mijë lekë (për hedhje në treg të produkteve të pasigurta për konsum),

“Gjobë” me vlerën 200 mijë lekë (për veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit), si dhe “Asgjësim i produktit” për sasinë prej 17.8 kg produkte të pasigurta për konsum .

Subjekti “Zeliha Demiri” me aktivitet “Pastiçeri”, Tiranë, ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (prani myku në tavolinën e punës, mungonte analiza e ujit, punonjësit nuk kishin libreza shëndetësore të vlefshme dhe është gjetur gjithashtu prani e sendeve të tepërta në ambientin e punës). Për shkeljet ligjore qq janë gjetur, subjekti është penalizuar me “Gjobë” me vlerën 300 mijë lekë, si dhe “Ndërprerje të menjëhershme të aktivitetit”, deri në plotësimin e mangësive të konstatuara.

Subjekti “Ëngjëllushe Koçi” me aktivitet “Njësi tregtimi”, Bulqizë, tregtonte produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi (miell, komposto, amita, llokume, reçel, fruta të thata etj). Ky subjekt është ndëshkuar me “Gjobë” me vlerën 300 mijë lekë, si dhe “Bllokim produkti” për sasinë prej 28.7 kg produkte ushqimore të pasigurta për konsum, me qëllim asgjësimin e tyre.

Subjekti “Idajet Shkulaku” me aktivitet “Restorant”, Dardhas, Pogradec, tregtonte produktin “mish viçi” pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Për këtë është gjobitur me vlerën 100 mijë lekë, si dhe “Bllokim produkti” për sasinë prej 19 kg mish të pasigurt për konsum me qëllim asgjësimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë