Lajme

Si u zbulua vrasësi me pagesë i Bajrave

Sadetin Erkoçeviq u arrestua dje në mbrëmje. Policia thotë se ai ishte jë nga të kërkuarit më të rrezikshëm. 28-vjeçari u vu në pranga, pasi u mor një sinjalizim se bënte lëvizje të çuditshme në zonën pranë sheshit “Uillson” në rrugën Bilal Xhaferri.

“Alo policia ... shoh një person të armatosur”- ka qenë telefonata e mbërritur në policinë e Tiranës. Kjo telefonatë e thjeshtë e bërë në komisariatin numër dy nga një qytetar që ka parë pistoletën në brezin e një të riu ka zbuluar në fakt një personazh ndoshta një nga më të rëndësishmit për kriminalitetin e Shkodrës.

I dënuar dhe i shpallur në kërkim prej pesë vitesh për policinë e shtetit, Sadetin Erkoceviq ishte pothuajse i pakapshëm dhe policia e kishte pasur të pamundur të binte në gjurmët e tij.

Pas ndërhyrjes blic u zbulua se njeriu me armë ishte Sadetin Erkoceviq, një nga të dyshuarit që ishte i rekrutuar nga grupi i Bajrave. Dhe për të cilin ka dyshime se është përdorur edhe ai vrasës me pagesë.

Sadetin Erkoçeviç është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2014, në një lokal me muzikë live, autori Sadetin Erkoçeviq ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin I.Y. dhe ka plagosur një tjetër.

Për këtë ngjarje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të formës së prerë në datën 15.02.2018, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve e municioneve luftarake”./Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë