Lajme

Si u zbulua kuksiani që do ekstradohet në Britani për vrasje

Policia arrestoi një javë më parë në Xhafzotaj të Durrësit një të ri nga Kukësi, i cili do të bëhet i pari shqiptar që do të ekstradohet për të vuajtur dënimin në Britaninë e Madhe pas firmosjes së një marrëveshje midis dy vendeve në vitin 2017.

I ndaluari është Elton Sefa dhe ai do të vuajë dënimin për një vrasje të kryer në Londër, që mediat britanike e kanë pasqyruar në kronika të shumta së fundmi, duke zbardhur detaje nga ngjarja për të cilën fajësohet 23-vjeçari shqiptar.

I riu kuksian akuzohet për vrasjen e një punëtori ndërtimi, ngjarje e cila fillimisht u dyshua si aksidentale, por më pas rezultoi të ishte e qëllimshme. Ngjarja ka ndodhur më 17 prill 2018, kur viktima John Woodward, 47 vjeç, u gjet i vdekur poshtë një godine, ku punonte bashkë me autorin.

Por si u zbulua krimi që kishte kryer? Ishin mjekët ligjorë ata që thanë, se pasi këqyrën trupin e viktimës, konstatuan se kishte goditje të rënda në trup dhe kokë. Hetuesit thanë se besonin se ai ishte sulmuar nga një njeri që punonte bashkë me të në çatinë ku ndodhi ngjarja. Para se të identifikohej, i dyshuari përshkruhej si një mashkull i bardhë, rreth 20 vjeç që kishte veshur një xhaketë blu, një bluzë poshtë saj, xhinse blu dhe çizme pune të zeza.

Testet e ADN-së çuan në zbulimin si autor të ngjarjes të 23-vjeçarit shqiptar, i cili tashmë është në pritje të ekstradimit në Britani me kërkesë të autoriteteve vendase. Që nga ajo kohë, Elton Sefa ishte kthyer në Shqipëri ku jetonte në shtëpinë e familjarëve në Xhafzotaj të Shijakut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë