Ka ndodhur

Sistemi TIMS bie për rreth 1 orë në pikat kufitare, probleme në disa dogana

Gazeta Si - Rënia e sistemit TIMS të policisë në hyrje-dalje e pikave kufitare të vendit për rreth një orë, paralizoi punën në pjesën më të madhe të doganave mbrëmjen e kësaj të marte.

Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Policia e Shtetit apo autoritetet shqiptare për të përcaktuar se çfarë problemi kishte.

Por sipas burimeve paraprake, dogana e Kapshticës, ajo e Qafë-Thanës, Tushemishtit dhe Goricës paraqitën probleme, me punonjësit që kanë punuar manualisht dhe pas rreth një ore, sistemi është kthyer të punojë rregullisht.

Edhe në Portin e Durrësit ra sistemi TIMS, ku qytetarët kanë mbetur në radhë dhe janë vonuar për udhëtimet e tyre drejt Italisë.

Edhe aty u punua manualisht për imbarkimin në dy tragetet e mbrëmjes të planifikuara për lundrim drejt Barit deri në rikthimin të sistemit.

Edhe Kakavija ka raportuar probleme, por që me kalimin e minutave sistemi duket se është kthyer normalisht.

Deri tani, probleme paraqesin vetëm aeroporti i Rinasit dhe dogana e Hanit të Hotit, ku po punohet me sistemin manual.

Sistemi TIMS i Policisë Shqiptare u sulmua kibernetikisht në 10 shtator të këtij viti, edhe pse pas disa ditësh sportelet në pikat kufitare u kthyen në funksion të plotë.

Për këtë sulm, kryeministri Rama akuzoi sërish Iranin, i cili edhe në 15 korrik sulmoi në shkallë të gjerë, duke goditur kibernetikisht portalet digjitale të qeverisë shqiptare.

Një sulm që shkaktoi miliona dollarë humbje dhe ndërprerje të shërbimeve për qytetarët në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë