Rend dhe Ligj

Rënia e sistemit TIMS, policia: Nuk ishte sulm kibernetik, por proces mirëmbajtjeje

Gazeta Si - Rënia e sistemit TIMS mbrëmjen e së martës, që bllokoi për më shumë se një orë punën në pikat kufitare, nuk ka ardhur si pasojë e një sulmi kibernetik.

Policia e Shtetit, në një sqarim të vonuar, duke pranuar problemet në disa pika doganore të vendit, thotë se ndërhyrja është bërë për të përmirësuar sistemin.

Sipas saj, nuk ka pasur një sulm hakerësh ndaj TIMS-it si në 10 shtator, por kjo ka qenë si rezultat i një pune për përmirësimin dhe rritjen e performancës.

"Ndaj sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme, nuk ka ndodhur sulm kibernetik, por në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme u realizuan disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve”, - njofton Policia e Shtetit.

Policia thekson se pas ndërhyrjes së shkurtër, sistemi ishte funksional në të gjitha pikat kufitare.

Ajo ka paralajmëruar gjithashtu se edhe në ditët në vijim do të ketë ndërprerje të sistemit, për shkak të ndërhyrjeve për përmirësimin e performancës së tij.

"Sqarojmë se edhe në ditët në vijim, do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS", - vijon njoftimi.

Mbrëmjen e djeshme, të gjitha pikat doganore në vend pësuan probleme teknike si pasojë e rënies së sistemit për më shumë se një orë.

Sistemi TIMS i Policisë Shqiptare u sulmua kibernetikisht në 10 shtator të këtij viti, edhe pse pas disa ditësh sportelet në pikat kufitare u kthyen në funksion të plotë.

Për këtë sulm, kryeministri Rama akuzoi sërish Iranin, i cili edhe në 15 korrik sulmoi në shkallë të gjerë, duke goditur kibernetikisht portalet digjitale të qeverisë shqiptare.

Një sulm që shkaktoi miliona dollarë humbje dhe ndërprerje të shërbimeve për qytetarët në të gjithë vendin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë